Juventus kualifikohet me “poker” ndaj Udineses, Dybala dhuron spektakël (VIDEO)

Juventus siguron një vend mes 8 skuadrave më të mira në Kupën e Italisë duke dhuruar spektakël ndaj Udineses. Skuadra e Sarrit triumfoi 4-0 në “Allianz Stadium” edhe pse në fushë nuk kishte Ronaldon e lënë pushim për shkak të një problemi në sinuese.

Bardhezinjtë zhbllokuan ndeshjen që në minutën e 16-të, falë tangos argjentinase Higuain-Dybala, që gjejnë më së miri disa herë njëri-tjetrin brenda disa sekondash. Në fund është Higuain, ai që e dërgon në rrjetë. 10 minuta më pas Bernandeschi fiton një penallti që kthehet në gol nga Dybala.

“La Joya” ishte në një mbrëmje fantastike, pasi në minutën e 57-të do të shënonte një perlë me të majtën, duke e dërguar topin në trekëndësh. 5 minuta më pas Douglas Costa shënoi edhe golin e katërt sërish me penallti. Në raundin tjetër skuadra torineze do të ndeshet me fituesin e duelit që do të luhet nesër mes Parmës dhe Romës. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP