Juventus-Milan, ideja e shkëmbimit Gatti-Loftus-Cheek
Në merkato duket se po shfaqet një aks i veçantë që mund të përshkohet pa probleme për të dy klubet. Nga njëra anë është Juventusi, që kërkon një mesfushor me eksperiencë dhe fleksibilitet për të luajtur në qendër, si gjysmësulmues krahu ose si sulmues i dytë, dhe nga ana tjetër është Milani, që ka nevojë të forcojë mbrojtjen. Në mes janë dy futbollistë, Federico Gatti dhe Ruben Loftus-Cheek, që mund të kënaqnin kërkesat e trajnerëve Spalletti dhe Allegri.
Sipas ‘Tuttosport’, në Continassa është zhvilluar një takim mes Spallettit, Comollit dhe Ottolonit, ku është diskutuar mundësia e një shkëmbimi mes Gattit dhe Loftus-Cheek. Juventus e sheh anglezin si një mesfushor fizik dhe me eksperiencë, i aftë të mbulojë disa role në fushë, ndërsa Milani kërkon mbrojtësin e talentuar italian, të njohur dhe të vlerësuar nga Allegri.
Ky shkëmbim duket i favorshëm për të dyja palët, veçanërisht sepse të dy lojtarët kërkojnë më shumë hapësira për të bindur trajnerët e kombëtareve për një grumbullim në Botëror. Gatti, që po rikuperohet nga dëmtimi i meniskut, do të duhet të vlerësohet me kujdes përpara finalizimit të marrëveshjes.
Operacioni pritet të realizohet fillimisht me formën e huazimit për të dy lojtarët, me premtimin për të rinegociuar në verë. Tregu i transferimeve duket i gatshëm për një mbyllje pozitive të këtij operacioni, i cili, megjithëse ende në tratativa, mund të sjellë përforcimet e nevojshme për Juventusin dhe Milanin pa shumë komplikacione.
KOHA JONË SONDAZH

