Juventus mund me lehtësi Cagliarin, Dybala shkëlqen me super gol (VIDEO)
Juventus rrëmben fitoren e radhës në kampionatin italian. Bardhezinjtë kanë fituar pa shumë vështirësi 3-1 ndaj Cagliarit në duelin e zhvilluar në stadiumin “Allianz Arena” dhe të vlefshëm për javën e 11-të.
Skuadra e Allegrit e nisi vrullshëm ndeshjen duke shënuar vetëm pas 40 sekondash, me Paulo Dybala-n, i cili vallëzon në zonën e miqve, duke shënuar një gol të bukur. Kur u duk se kampionët e Italisë do të fitonin me goleadë, vjen reagimi i Cagliarit që barazoi në minutën e 36-të, me Joao Pedron që bën një veprim të bukur.
Dy minuta më pas Douglas Costa me një aksion nga krahu i majtë detyroi mbrojtësin Bradaric që ta dërgonte topin në rrjetën e tij. Në fraksionin e dytë, Juventusi kontrolloi ndeshjen duke krijuar mundësi të tjera të mira me Ronaldon, i cili në një rast tronditi edhe shtyllën.
3 minuta nga fundi i kohës së rregullt pas një kundërsulmi vrastar, Ronaldo shërben mjaft mirë për Cuadradon, i cili e ka të thjeshtë për të mposhtur portierin Cragno. Ky ishte asisti i pestë për yllin portugez, ndërkohë që Juventus blindon kreun e renditjes me 31 pikë, 6 më shumë se Inter dhe Napoli. /Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

