Juventus në kërkim të një portieri, gati një marrëveshje me PSG për Suzukin
Juventusi duket se ka qartësuar strategjinë për portën dhe emri që kryeson listën e drejtuesve bardhezinj është ai i Zion Suzuki. Portieri japonez i Parmës është aktualisht “plani A” i klubit torinez, me Guglielmo Vicario në pritje dhe Andriy Lunin e Anatoliy Trubin si alternativa në sfond.
Sipas raportimeve nga Italia, ideja e Juventusit është që Suzuki të transferohet fillimisht te Paris Saint-Germain dhe më pas të mbërrijë në Torino në formë huazimi për një sezon. PSG është gati të paraqesë një ofertë prej rreth 35 milionë eurosh për kartonin e portierit të Parmës. Nëse marrëveshja konkretizohet, klubi francez do ta transferonte Suzuki-n në Paris, ku do të kryente vizitat mjekësore dhe do të firmoste kontratën, përpara se të huazohej te Juventusi deri në vitin 2027.
Megjithatë, ende mbetet për t’u bindur vetë portieri japonez. Suzuki nuk është plotësisht i bindur për idenë e transferimit te një klub i madh dhe menjëherë më pas të huazohet te një tjetër skuadër. Nga ana tjetër, mundësia për të qëndruar në Itali dhe për të fituar eksperiencë te një klub me peshën e Juventusit mund të ndikojë në vendimin e tij.
Një rol të rëndësishëm në operacion pritet të luajnë edhe marrëdhëniet mes Juventusit dhe PSG-së. Dy klubet kanë intensifikuar kontaktet pas tratativave për Randal Kolo Muani dhe tashmë po diskutojnë edhe për të ardhmen e Suzuki-t.
Ideja është që portieri 24-vjeçar të kalojë fillimisht në Paris dhe më pas të luajë një sezon në Torino, ku Juventusi do të tentonte ta ndihmonte në rritjen e tij profesionale. Në këtë mënyrë, bardhezinjtë mund të shtynin për një vit vendimin përfundimtar për portierin e së ardhmes, pasi më herët kanë parë të dështojnë tentativat për Alisson dhe Emiliano Martínez.
Pas Suzuki-t, në listën e Juventusit vijon Guglielmo Vicario. Portieri i Tottenham mund të rikthehet në Itali në formë huazimi, por për momentin konsiderohet një alternativë. Në prapaskenë mbeten edhe ukrainasit Andriy Lunin i Real Madridit dhe Anatoliy Trubin i Benficas, por të dy janë opsione më të largëta.
KOHA JONË SONDAZH

