Juventus nis tratativat për rinovimin me sulmuesin serb, Dusan Vlahovic
Ajo që deri pak javë më parë dukej thjesht një utopi, sot po merr formën e një mundësie reale: rinovimi i Dusan Vlahovic me Juventusin nuk është më një skenar i pamundur. Sulmuesi serb ka rikthyer besimin dhe dashurinë e tifozëve bardhezi, jo vetëm falë golave, por sidomos për performancat, shpirtin e garës dhe përkushtimin që prej kohësh priteshin prej tij. Impresionet pozitive nuk kanë kaluar pa u vënë re as nga drejtuesit e klubit, të cilët janë të gatshëm të rikthehen në tryezën e negociatave për zgjatjen e kontratës që skadon natyrshëm në qershor.
Koha, megjithatë, është armiku kryesor i Juventusit. Nga 1 shkurti, Vlahovic do të jetë i lirë të gjejë një marrëveshje me cilindo klub, dhe interesimi për të është i madh: Bayern Munich, Tottenham, Chelsea dhe Manchester United janë ndër skuadrat që po ndjekin me vëmendje situatën, të gatshme të përfitojnë nga mundësia për të marrë me parametra zero një sulmues të këtij niveli.
Edhe pse trajneri Spalletti dhe drejtori Chiellini kanë pranuar se të gjitha palët do të donin të vazhdonin së bashku, problemi kryesor mbetet ekonomik. Aktualisht, Vlahovic fiton 12 milionë euro në sezon, ku 4 prej tyre janë bonus i nënshkrimit.
Oferta e Juventusit prej 8 milionë neto nuk mjafton dhe distanca mes kërkesës dhe ofertës mbetet e madhe. Klubi torinez duhet të gjejë formula të reja: bonuse, klauzola dhe zgjatje kontrate për ta bindur sulmuesin që të qëndrojë. Sepse këtë herë, është vetë Vlahovic ai që ka avantazhin në dorë.
Sipas burimeve pranë klubit, Giorgio Chiellini mund të luajë një rol thelbësor në ndërmjetësim. Ish-kapiteni, tani drejtues, duhet ta bindë serbin se projekti i ri teknik e vendos në qendër dhe se në moshën 25-vjeçare nuk është ende koha për ultimatume financiare.
KOHA JONË SONDAZH

