Juventus nuk gjen paqe me dëmtimet, Thuram do të mbetet 3 muaj jashtë fushave
Starti i sezonit ka rezultuar aspak pozitiv për Luciano Spallettin, me Juventusin që po përballet me një numër të konsiderueshëm dëmtimesh. Situata është veçanërisht shqetësuese për disa prej lojtarëve kryesorë, ndërsa më serioz duket rasti i mesfushorit francez, Khephren Thuram.
Pas përpjekjeve për ta trajtuar problemin në mënyrë konservative, në fund nuk ka mbetur alternativë tjetër përveç ndërhyrjes kirurgjikale. Thuram do t’i nënshtrohet operacionit të enjten në Lion, nën kujdesin e specialistit të njohur Bertrand Sonnery-Cottet, i njëjti mjek që më parë kishte trajtuar edhe dëmtimin e gjurit të Bremer.
Përgatitjet për ndërhyrjen po koordinohen edhe nga babai i futbollistit, ish-mbrojtësi i njohur francez Lilian Thuram. Khephren Thuram është përballur që prej fundit të sezonit të kaluar me një sindromë femoro-patelare, problem që shkakton dhimbje në pjesën e përparme të gjurit dhe rreth kupës së gjurit.
Fillimisht, stafi mjekësor kishte preferuar një terapi konservative, duke shmangur operacionin. Megjithatë, trajtimi nuk ka dhënë rezultatet e pritshme dhe dhimbjet kanë vazhduar.
Problemi e kishte detyruar Thuram të qëndronte jashtë të gjitha ndeshjeve miqësore të Juventusit gjatë fazës përgatitore të verës. Gjendja e tij nuk u përmirësua as në prag të sfidës ndaj Parmës, ku mesfushori nuk ishte në gjendje të zbriste në fushë.
Tashmë, operacioni konsiderohet si zgjidhja më e arsyeshme për të eliminuar problemin. Ndërhyrja kirurgjikale do të ketë një kosto të lartë për Juventusin. Thuram pritet të mungojë për një periudhë të gjatë dhe, sipas parashikimeve fillestare, rikthimi i tij në fushë nuk pritet para fillimit të vitit 2027.
Një goditje e rëndë për Spallettin, i cili në javët e para të sezonit duhet të menaxhojë një situatë të komplikuar me dëmtimet. Përveç Thuram, edhe Yildiz pritet të mungojë rreth tre muaj, ndërsa Ekhator do të jetë jashtë për disa javë.
KOHA JONË SONDAZH

