Juventus pranë goditjes së madhe në sulm, Sorloth drejt zyrtarizimit para Botërorit
Juventus po afrohet gjithnjë e më shumë me transferimin e sulmuesit norvegjez Alexander Sorloth, i cili konsiderohet si pasuesi ideal i Dusan Vlahović në repartin ofensiv të bardhezinjve. Pas një sezoni të suksesshëm me Atletico Madrid, ku realizoi 20 gola, Sørloth është kthyer në objektivin kryesor të drejtuesve juventinë. Klubi italian synon të mbyllë marrëveshjen sa më shpejt, për të shmangur konkurrencën e mundshme nga klubet e Premier League dhe për të evituar rritjen e vlerës së lojtarit gjatë Kupës së Botës.
Sipas raportimeve, kontaktet e ditëve të fundit kanë sjellë një marrëveshje paraprake me futbollistin për një kontratë deri në vitin 2029, me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. Norvegjezi pritet të përfitojë rreth katër milionë euro neto në sezon. Një rol të rëndësishëm në negociata thuhet se ka luajtur trajneri Luciano Spalletti, i cili ka kontaktuar personalisht lojtarin për t’i prezantuar projektin sportiv të Juventusit, duke marrë një përgjigje pozitive nga sulmuesi.
Me akordin personal pothuajse të mbyllur, Juventusi tashmë është fokusuar te negociatat me Atletico Madridin. Klubi spanjoll e vlerëson kartonin e Sorloth mes 30 dhe 35 milionë eurove, ndërsa bardhezinjtë synojnë ta mbyllin operacionin për një shifër më të ulët se 30 milionë euro. Për të mos humbur kohë, drejtuesit e Juventusit kanë nisur të planifikojnë edhe vizitat mjekësore. Në rast se arrihet marrëveshja përfundimtare me klubin spanjoll, një pjesëtar i stafit mjekësor të Juventusit mund të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara, ku sulmuesi do të jetë i angazhuar me kombëtaren e Norvegjisë në Kupën e Botës.
Në sfond të negociatave qëndron edhe situata e Nicolás González. Sulmuesi argjentinas, i cili sezonin e fundit luajti në Madrid, dëshiron të vazhdojë aventurën me Atleticon, ndërsa trajneri Diego Simeone mbështet qëndrimin e tij. Juventusi vlerëson kartonin e Gonzalez rreth 27 milionë euro dhe mund të tregojë fleksibilitet në negociata. Edhe pse transferimi i tij dhe ai i Sørloth konsiderohen zyrtarisht dy operacione të ndara, raportet e mira mes klubeve mund të ndihmojnë në uljen e kërkesave ekonomike të Atleticos për sulmuesin norvegjez.
KOHA JONË SONDAZH

