Juventus zgjidh kontratën me Tudor, tani nis puna për rinovim me Spallettin
Zgjidhja e kontratës me ish-trajnerin Igor Tudor ka lehtësuar ndjeshëm bilancin financiar të Juventusit, duke mbyllur një marrëveshje që ishte e vlefshme deri në qershorin e vitit 2027. Ky hap i ka hapur rrugë klubit bardhezi të përshpejtojë planet për të ardhmen dhe të ndërtojë një projekt afatgjatë rreth Luciano Spallettit.
I ardhur në Torino prej disa muajsh, ish-trajneri i Kombëtares ka bindur drejtuesit me punën dhe rezultatet e tij. Objektivi i rikthimit në Champions League është sërish konkret dhe klubi dëshiron t’i japë stabilitet projektit teknik, duke nisur që nga pankina.
Në qendrën stërvitore të Continassa-s është marrë vendimi për t’i ofruar Spallettit rinovimin e kontratës, me synimin që marrëveshja e re të mbyllet sa më shpejt. Në tryezë është një zgjatje deri në vitin 2028, që do t’i garantonte trajnerit dhe klubit kohën e nevojshme për të planifikuar strategjitë sportive, merkato dhe zhvillimin e skuadrës në afat të mesëm dhe të gjatë.
Mesazhi i Juventusit është i qartë: besim total te Spalletti dhe dëshirë për të ndërtuar një cikël të ri fitues, duke lënë pas paqëndrueshmërinë e viteve të fundit.
KOHA JONË SONDAZH

