Juventus zyrtarizon goditjen e parë në merkaton e verës
Juventusi ka nisur zyrtarisht procesin e rindërtimit të repartit ofensiv për sezonin e ri, me drejtuesit bardhezi që po punojnë për një revolucion të vërtetë në sulm. Largimi i Dusan Vlahovic konsiderohet tashmë i sigurt, ndërsa edhe aventura e Arkadiusz Milik në Torino duket drejt fundit. Klubi pritet të negociojë ndërprerjen e kontratës me sulmuesin polak gjatë javëve të ardhshme.
Më të paqarta mbeten situatat e Jonathan David dhe Loïs Openda. Kanadezi dëshiron të qëndrojë dhe të rikthehet në nivelin e tij më të mirë, ndërsa për Openda-n e ardhmja duket më e komplikuar pas një sezoni zhgënjyes në Torino, pavarësisht investimit të konsiderueshëm që Juventusi bëri për ta transferuar nga RB Leipzig.
Ndërkohë, drejtuesit bardhezi po lëvizin shpejt për t’i vënë në dispozicion trajnerit Luciano Spalletti alternativa të reja në repartin ofensiv.
Emri i parë që do t’i bashkohet skuadrës është Jeff Ekhator. Sulmuesi i talentuar i Genoa, i rritur në akademinë e klubit ligurian, është shumë pranë transferimit te Juventusi në një marrëveshje që vlerësohet rreth 23 milionë euro.
Bardhezinjtë u futën fuqishëm në garë që në ditët e para të merkatos, pasi më herët interesim për lojtarin kishin shfaqur edhe Bologna, Atalanta dhe Real Betis. Megjithatë, asnjë prej ofertave të tyre nuk kishte kaluar shifrën e 15 milionë eurove, ndërsa Genoa kërkonte të paktën 20 milionë euro për kartonin e sulmuesit.
Për të mposhtur konkurrencën, Juventusi paraqiti një ofertë më të lartë, duke ofruar rreth 18 milionë euro në para dhe kartonin e mbrojtësit të majtë austriak David Puczka, pjesë e Juventus Next Gen. Futbollisti i lindur në vitin 2005 zhvilloi një sezon të shkëlqyer në Serie C, ku realizoi 10 gola.
Mbrëmjen e së martës, Ekhator mbërriti në Torino dhe iu nënshtrua vizitave mjekësore në qendrën JMedical, të cilat janë përfunduar me sukses. Tashmë mbetet vetëm zyrtarizimi i transferimit nga ana e klubit.
KOHA JONË SONDAZH

