Ka fituar 600 milionë euro deri më tani, Ronaldo bën gati largimin e bujshëm nga Al-Nassr
Thonë se paratë nuk blejnë lumturinë dhe Cristiano Ronaldo duket se është dëshmia më e qartë e kësaj te Al-Nassr. Ylli portugez, tashmë 40 vjeç, ka fituar shifra marramendëse që prej transferimit të bujshëm në Arabinë Saudite në fund të vitit 2022, por raportimet e fundit flasin për një klimë tensioni dhe pakënaqësie në kampin e sulmuesit.
Sipas mediave angleze, Ronaldo nuk ka luajtur në ndeshjen e fundit ndaj Al-Riyadh, duke u raportuar se mungesa e tij lidhej me një revoltë personale, shenjë e një marrëdhënieje të ftohur me klubin. Al-Nassr është një nga katër klubet e Saudi Pro League që mbështeten nga Fondi Publik i Investimeve (PIF), por kjo nuk duket se po mjafton për të mbajtur të kënaqur pesë herë fituesin e Topit të Artë.
Kalimi i Ronaldos në Lindjen e Mesme tronditi botën e futbollit. Pas një fundi të hidhur te Manchester United dhe përplasjes publike me Erik ten Hag, portugezi firmosi kontratën më të majme në historinë e futbollit në atë kohë. Lëvizja u konsiderua pionere, pasi asnjë lojtar i nivelit të tij nuk kishte zgjedhur më parë një kampionat të tillë në kulmin e karrierës.
Pas Ronaldos, Arabia Saudite tërhoqi edhe emra të mëdhenj si Neymar, Sadio Mané, João Félix dhe Karim Benzema, duke e kthyer ligën në një projekt global sportiv. Nga ana financiare, CR7 ka përfituar jashtëzakonisht shumë: rreth 500 mijë euro në ditë pagë bazë, afro 441 milionë euro nga kontrata e parë, një bonus firmosjeje prej 24.5 milionë eurosh në rinovimin e verës së kaluar dhe një kuotë pronësie te Al-Nassr me vlerë 33 milionë euro. Në total, përllogaritjet flasin për rreth 600 milionë euro të fituara në Arabinë Saudite.
Përveç kësaj, klubi i ka vënë në dispozicion 16 punonjës me kohë të plotë për familjen e tij, si dhe një avion privat falas. Megjithatë, suksesi sportiv ka munguar. Në më shumë se tre vite me Al-Nassr, trofeu i vetëm i fituar është Arab Club Cup, një kompeticion që FIFA nuk e njeh zyrtarisht.
Pakënaqësia e Ronaldos duket se është shtuar edhe nga mungesa e ambicies në merkaton e dimrit. Deri tani, Al-Nassr ka afruar vetëm të riun irakian Haydeer Abdulkareem, ndërsa rivalët e drejtpërdrejtë, Al-Hilal, kanë investuar ndjeshëm duke afruar emra si Pablo Marí,Kader Meïté dhe Benzema.
KOHA JONË SONDAZH

