Kampionati më i bukur në botë, IFFHS: Pas kampionatit spanjoll, Seria A (Foto)
Cristiano Ronaldo, Leo Messi, Neymar, Luis Suarez, Gareth Bale. Të gjithë lojtarë të klasit botëror që bashkohen në një ligë. Reali me blerjet prej disa qindra miliona eurosh, Barcelona e spektaktlit me një treshe sulmi fantastike dhe si të mos mjaftonte, duke i shtuar edhe Atletikon e Madridit, që triumfoi ndaj titanëve falë konceptit të skuadrës. Futboll i bazuar te spektakli ku teknika mbizotëron ndaj taktikës e strategjive si të një ndeshje shahu dhe shumë talente nga Amerika e Jugut, që mbushin skuadrat. Nuk ka nevojë për shumë imagjinatë për të gjetur se cili ishte kampionati më i fortë në botë për 2014. Me të gjithë këto komponentë nuk është aspak çudi që La Liga spanjolle shpallet si kampionati më i fortë në botë për të pestin vit radhazi nga IFFHS, Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave në Futboll. Primera Division ruan kryesimin falë performancës së jashtëzakonshme të skuadrave të saj jo vetëm në kampionat, por edhe në kompeticionet europiane dhe ndërkombëtare me Realin e Madridit që u kurorëzua kampion i kontinentit në kompeticionin më të rëndësishëm, Champions League, duke fituar finalen e Lisbonës pikërisht përballë një tjetër skuadre të La Ligas, Atletikos së Madridit, ndërkohë që për të rritur koefiçientët kanë shërbyer dhe performancat e Barcelonës, dhe Sevijas. Surprizë në klasifikimin e kampionateve më të fortë në botë mund të konsiderohet vendi i dytë, me Serinë A, italiane që ndodhet aty duke zbritur një shkallë më poshtë, në vendin e tretë Premier League angleze. Të dy kampionatet ishin shumë pranë njëri tjetrit për sa i përket koefiçientëve, por performanca e klubeve italiane në Europë në tërësi ishte më e mire se ajo e klubeve angleze. Primera Division e Argjentinës ndodhet në vendin e katërt duke u pozicionuar më mirë ndër kampionatet e Amerikës së Jugut, ndërkohë që nënvizohet zbritja me dy shkallë e Bundesligës gjermane që aktualisht ndodhet në vendin e 5-të. Bajerni i Mynihut pozicionohet i dyti në klasifikimin botëror të klubeve, por shkaku për zbritjen e Bundesligës duhet kërkuar te ai që është konsideruar si klubi i dytë gjerman, Borussia e Dortmundit, që me performancat e dobëta gjatë pjesës së fundit të 2014 ka zbritur në vendin e 25-të në renditje botërore të klubeve. Kampionati francez ruan pozicionin që kishte në 2013, vendin e 7-të , pas Brazilit ndërsa dhjetëshja e mirë mbyllet me Portugalinë, Kolumbinë dhe Paraguain. Për sa i përket Shqipërisë, kampionati ynë ndodhet në vendin e 67-të në botë, ndërsa një vit më parë ndodhej në të 59-të, por kjo zbritje siç shpjegohet edhe në metrin e vlerësimit të IFFHS, nuk i detyrohet rivalitetit të Kategorisë Superiore që në sezonin e saj aktual ka arritur kulmin, por performancave të klubeve shqiptare në Europë, me një mrekulli si ajo e Kukësit në 2013, që nuk u arrit të përsëritej nga skuadrat shqiptare edhe verën e kaluar.
KOHA JONË SONDAZH

