Kampionët duan titullin e 5-të radhazi, Mirel Josa: Skënderbeu, për trofe!

Skënderbeu mbylli fazën përgatitore në Spanjë dhe është gati për pjesën e dytë të këtij sezoni. Ekipi që e ka fituar katër herë radhazi titullin kampion në Superiore, pretendon të njëjtin sukses edhe në fund të këtij edicioni, duke qenë se mban aktualisht vendin e dytë, një pikë pas kryesuesve, dhe sipas trajnerit Mirel Josa, Skënderbeu ka një skuadër që me të drejtë mund të pretendojë trofe të tjerë:  -“Skënderbeu gjatë kësaj kohe që drejtohet prej meje, ka pretenduar për të dy trofetë. Por mua do më pëlqente kampionati, pastaj Kupa. Të marrësh titullin e 5 radhazi është diçka e veçantë për këdo, për mua, lojtarët, klubin dhe tifozët,” – theksoi Mirel Josa.  Aktualisht Skënderbeu është në vendin e dytë në kampionat, së bashku me Partizanin, dy pikë larg Kukësit dhe një pikë para Tiranës. – “Jemi në vendin e dytë dhe së bashku me skuadrat e tjera kemi pretendime. Kukësi është përpara, Partizani në të njëjtën kuotë me ne dhe Tirana disi më prapa. Por unë do të shtoja edhe Laçin me Flamurtarin, që kanë ende pretendime dhe do i japin ritmin kampionatit. Tani vijmë ndryshe nga herët e tjera pasi nuk jemi kryesues por si ndjekës. Duhet të vlerësojmë çdo kundërshtar njësoj,” – thotë Mirel Josa.  Skënderbeu ka bërë pak ndryshime në merkato, ndërsa Josa bën analizën e lëvizjeve tek kampionët që pretendojnë ta nisin pjesën e dytë të garës me të njëjtat synime. – “Ribaj nuk do të jetë pjesë e skuadrës, kaq ishte kontributi i tij dhe jam i kënaqur me atë që dha për ekipin. Morëm Stojkov një lojtar me eksperiencë. Nuk ka ritëm, por ka eksperiencën për të fituar ritmin. Ndaj Duseldorf tregoi vlerat e tij. Edhe Dimo ka qenë lojtar që i është përgjigjur gjithmonë skuadrës. Ka qenë pozitiv dhe skuadrës i duhen lojtarë të tillë por të shohim si do të mbulohet,” – shprehet Mirel Josa, mbi lëvizjet e fundit në merkato për katër herë kampionët e vendit.  Skënderbeu do të luajë ditën e dielë në “Elbasan Arena” , ora 17.00, në ndeshjen e parë zyrtare të këtij viti, ndaj ekipit vendas, që ndodhet në fund të klasifikimit. 

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?