Kapiteni Cana i bashkohet kombëtares i lumtur, pas firmës me Nantes
Lorik Cana firmosi të hënën me Nantes një kontratë dy vjeçare. Pak orë më pas kapiteni kuqezi iu bashkua skuadrës së Gianni de Biasit në grumbullim. Telenovela e merkatos së verës mori një zgjidhje me rikthimin e kapitenit shqiptar në Francë, aty ku dhe u bë i njohur si lojtar. Numri 5 i kuqezinjve u shpreh i kënaqur për zgjedhjen e klubit të ri dhe pse pranoi se kishte dhe skuadra të tjera që interesoheshin për të. – “Jam i kënaqur për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Është folur dhe për skuadra të tjera, por në fund zgjodha Nantën sepse dhe drejtuesit e këtij ekipi e dëshironin shumë një marrëveshje të tille. Jam i kënaqur që do të rikthehem në France”.
Transferimi i Canës te Nantes përflitej prej ditësh, por pengesat e krijuara nga klubi i Lacios, bënë që marrëveshja të mbyllej vetëm në ditën e fundit të tregut të shit-blerjeve të lojtarëve.
“Në fakt, zgjedhja e Nantes u kushtëzua disi dhe nga pengesat e krijuara nga klubi i Lacios. Për fat gjithçka u mbyll para grumbullimit të kombëtares dhe tashmë mund të stërvitem qetësisht me përfaqësuesen për të përgatitur sa më mirë këto sfida.”
Më 4 shtator, Shqipëria do të ketë ndeshjen e saj më të rëndësishme në këto eliminatore. Tifozët shpresojnë që të përsëritet suksesi i 4 shtatorit të 2004, kur kombëtarja fitonte ndaj Greqisë. Ndfryshe nga fitorja e asja kohe me kampionët e Greqisë, një rezultat pozitiv me Danimarkën do të afronte Shqipërinë më afrë kualifikimit. Për Lorikun e rëndësishme është që i gëzueshëm të jetë 11 tetori.
“Më shumë se me 4 shtator shpresojmë të festojmë më 11 tetor, kur do të jetë ndeshja e fundit. Nëse festojmë më 11 tetor do të thotë se jemi kualifikuar në Europian.”
Fjalimi i kapitenit në dhomat e zhveshjes është gjithmonë i rëndësishëm përpara ndeshjeve të tilla të mëdha, por për Canën kuqezinjtë asgjë nuk mund t’i motivojë më shumë sesa veshja e fanellës së kombëtares.
“Po, fjalimet besoj se mbeten mes meje dhe skuadrës (buzëqesh). Jo, realisht në të tilla ndeshje thuhen përgjithësisht të njëjtat gjëra, por nuk besoj se djemtë kanë nevojë për fjalime të posaçme, pasi ajo që i motivon më shumë se çdo gjë është veshja e fanellës së kombëtares.”
KOHA JONË SONDAZH

