KATEGORIA SUPERIORE/ Ndalen Tirana dhe Partizani, Skënderbeu fiton ndaj Luftëtarit

Pas triumfit në derbi, partizani rikthehet me këmbë në tokë, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj Teutës. Nën një atmosferë të vakët, të diktuar si nga moti, ashtu edhe nga mungesa e tifozërisë në shkallët e “Selman Stërmasit”, sfida nisi mjaft interesante dhe e luftuar, por në minutën e 35-të u kushtëzua nga arbitri, që ndëshkoi mesfushorin Romero me kartonin e dytë të verdhë dhe la Partizanin me 10 futbollistë.

 

Vetëm dy minuta pasi mori epërsinë numerike, Teuta gjeti edhe avantazhin në rezultat, pasi zhbllokoi takimin me një gol të shënuar nga mesfushori prizrenas Florent Avdyli, gjatë ekzekutimit të një faulli. Partizani vuajti shumë disavantazhin në fushë dhe por arriti të gjejë një gol mjaft të bukur me Lorenc Trashin në minutat shtesë të pjesës së parë, duke rikthyer baraspeshën, teksa mbrojtësi anësor gjeti edhe bashkëpunimin e portierit durrsak Stivi Frashëri.

Pas dy humbjeve radhazi ndaj rivalëve direkt për titullin si Kukësi dhe Partizani, Tirana nuk mundi të fitonte as në Vlorë duke u ndalur në barazim 2-2 ndaj Flamurtarit. Edon Hasani u bë protagonist me dopietë, duke shënuar në minutën e dytë dhe të 40-të, por vlonjatët u kundërpërgjigjën fillimisht me një autogol të Ngoo dhe më pas me një gol të Hoxhës në minutat shtesë.

Skënderbeu vuajti jo pak përballë Luftëtarit në Korçë, por në fund ia doli të festojë fitoren dhe 3 pikët, falë rezultatit 2-0, që u vendos nga dy gola të shënuar në minutat shtesë. Gjirokastritët u mbrojtën mjaft mirë, por “kalaja e tyre” ra në minutat shtesë, ku fillimisht ishte Bruno Dita dhe më pas Arbnor Muja, që shënuan golat me vlerë 3-pikëshe.

 

SHKARKO APP