Kërcënuan me bojkot, lojtarët e Vllaznisë vendosin për sfidën në Vlorë
Futbollistët e Vllaznisë kanë gjetur më në fund akordin me drejtuesit dhe nuk do të bojkotojnë ndeshjen e radhës kundër Flamurtarit në Vlorë. Klubi kuqeblu ka njoftuar përmes faqes zyrtare të klubit se futbollistët janë nisur dhe do të jenë të gatshëm për sfidën e nesërme.
Njoftimi – “Pak minuta më parë ekipi i Vllaznisë është nisur drejt Vlorës, qytet ku do të luajë pasditen e së mërkurës ndeshjen e radhës për kampionat ndaj Flamurtarit. Të gjithë futbollistët dhe pjesëtarët e stafit teknik dhe atij mjekësor, të paisur me maska e doreza janë ngjitur në autobuzin e ekipit i cili ka qenë i paisur edhe me dezinfektuesit e duhur.
Kësisoj Vllaznia duke zbatuar të gjitha rregullat e protokollit të hartuar nga FSHF dhe të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka vijuar rrugën drejt Vlorës për t’u bërë gati për takimin e radhës për kampionat ku padiskutim që do të synojë fitoren”, – shkruhet në njoftimin e klubit.