KF Kamza niset për fazën përgatitore në Ohër
Ekipi i futbollit të Kamzës sot është nisur për të bërë fazën përgatitore në qytetin e Ohrit në Maqedoni. Për të përshëndetur lojtarët dhe gjithë stafin drejtues ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë, z. Xhelal Mziu, i shoqëruar nga presidenti i klubit, z. Naim Qarri. Kreu i Bashkisë u ka uruar futbollistëve, trajnerit Devolli dhe gjithë stafit një fazë të mbarë përgatitore për sezonin e ri, si dhe rezultate vetëm pozitive në fillim dhe gjatë gjithë kampionatit. Gjithashtu, ai u shpreh i bindur se objektivat e vendosur në këtë prag sezoni, fitimi i titullit kampion në Kategorinë e Parë dhe ngjitja në Superligë, janë të arritshëm. Kjo, duke parë edhe gjendjen e skuadrës, si dhe blerjet e reja dhe përforcimet që kanë shoqëruar merkaton e verës. Siç bëhet e ditur nga pjesëtarët e stafit drejtues të ekipit, faza përgatitore do të zgjasë rreth 10 ditë, periudhë gjatë së cilës trajneri Devolli dhe futbollistët do të vijojnë punën intensive të bërë deri tani. Qëllimi është që ekipi të arrijë një nivel të lartë përgatitjeje, si nga ana fizike, ashtu edhe nga ana teknike-taktike. Edhe vetë lojtarët shprehen optimistë për sezonin e ri, duke theksuar se do të japin maksimumin për të arritur të gjitha synimet e këtij fillimi kampionati. Ata vlerësojnë, gjithashtu, edhe mbështetjen e dhënë nga kryebashkiaku Mziu, gjë që është një garanci më shumë për mbarëvajtjen e sezonit.
Stadiumi i Kamzës me tapet të ri
Së shpejti stadiumi i qytetit të Kamzës do të ketë një tapet të ri në fushën e tij. Ky investim i radhës në infrastrukturën sportive është një tjetër bashkëpunim i frytshëm i kryebashkiakut Xhelal Mziu, presidentit të ekipit të FK Kamza, Naim Qarri, dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka. Me vendosjen e tapetit të ri në prag të sezonit futbollistik 2016-2017, stadiumi do të ofrojë një cilësi më të lartë për zhvillimin e ndeshjeve. Ndërkohë, po punohet çdo ditë për të mbajtur në një gjendje sa më të mirë infrastrukturën e këtij stadiumi, me qëllimin e vetëm për të krijuar një situatë sa më të lehtë në vendosjen e tapetit të ri, i cili do të jetë i parametrave ndërkombëtarë. Ky investim ka ardhur si rezultat jo vetëm i një bashkëpunimi dhe projekteve të përbashkëta që ka kryebashkiaku Mziu dhe institucioni i Federatës Shqiptare të Futbollit, por edhe i ambicies së vazhdueshme të z. Mziu për ta parë zhvillimin e qytetit të Kamzës në majat më të larta edhe të futbollit shqiptar. Së pari, kjo realizohet duke krijuar infrastrukturë të përshtatshme; së dyti, me mbështetje financiare dhe, së treti, me një punë të palodhur për të bërë një ekip konkurrues dhe premtues edhe për sezonet në vazhdim. Tashmë infrastruktura për sezonin e ri futbollistik është gati dhe së shpejti pritet që në stadiumin e Kamzës të shohim edhe tapetin e ri.
KOHA JONË SONDAZH

