Klodian Duro, zyrtarisht trajneri i ri i Kukësit

 

Aventura e trajnerit brazilian Marcelo Troisit te Kukësi mbyllet, pasi është shkarkuar nga drejtimi i skuadrës së tij një ditë pas disfatës 1-0, të pësuar nga Teuta në “Niko Dovana”.  Drejtimin e skuadrës verilindore e mori menjëherë ish-futbollisti i kombëtares që e mbylli karrierën te Tirana dy sezone me parë, Klodian Duro. Braziliani Trosi ishte paralajmëruar edhe më herët, por fitorja e një javë më parë ndaj Skënderbeut, 2-1, ka mjaftuar për ta zgjatur vetëm për një javë eksperiencën e teknikut brazilian në stolin e Kukësit. Mirëpo  humbja me Teutën ishte një konfirmim i mëtejshëm i dobësisë së skuadrës verilindore në transfertë. Kukësi këtë kampionat nuk ka arritur të fitojë asnjë ndeshje jashtë mureve mike. Kukësi pritet të largojë edhe disa nga brazilianët e skuadrës, pas shkarkimit të trajnerit. Do të jetë pikërisht trajneri i ri Klodian Duro,  i cili të mërkurën fillon zyrtarisht karrierën e re si trajner pasi ka kryer kualifikimet e nevojshme në stolin e skuadrës verilindore me objektivin për të rikthyer Kukësin pretendent për titullin, ai që do të vendosë për të ardhmen e tyre. Presidenti Safet Gjici nuk ka humbur kohë për të gjetur timonierin e ri të skuadrës pas shkarkimit të Marcello Troisit duke bërë një zgjidhje të guximshme me Duron që edhe pse një trajner i ri , ka në krahun e tij grintën dhe aftësinë për të qenë më pranë lojtarëve si një futbollist që ka lënë prej pak kohësh futbollin.  Sfida e Duros si trajneri i ri është të gjejë ritmet e ekipit të skuadrës në ndeshjet jashtë fushës. Fitoret jashtë shtëpisë janë një kusht i domosdoshëm për një skuadër që të mbajë statusin e pretendentes për titullin dhe me 20 pikë në 12 javë të grumbulluara dhe vendin e pestë në klasifikim. Ndryshimi i stolit erdhi si pasojë e sosjes së durimit nga Presidentit Safet Gjici,  që ka vendosur për të ndryshuar kurs, duke i dhënë fund bashkëpunimit me trajnerin që mori drejtimin e skuadrës në verë duke kaluar dhe dy raundet paraeleminatore në Europa League.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?