FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Klopp drejt pankinës së Gjermanisë, marrëveshja deri në Botërorin 2030 pranë finalizimit

Jürgen Klopp është shumë pranë emërimit si trajneri i ri i kombëtares së Gjermanisë, me një kontratë që pritet të zgjasë deri në përfundim të Kupës së Botës 2030. Lajmi është publikuar nga e përditshmja gjermane “Die Welt*”, sipas së cilës drejtuesit më të lartë të futbollit gjerman do të udhëtojnë gjatë fundjavës në Nju Jork për të mbyllur detajet e fundit të marrëveshjes me ish-trajnerin e Liverpoolit.

Sipas raportimit, presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Bernd Neuendorf, dhe presidenti i Ligës Gjermane të Futbollit, Hans-Joachim Watzke, do të zhvillojnë takimin përfundimtar me Klopp, i cili pritet të firmosë një kontratë katërvjeçare. Nëse marrëveshja zyrtarizohet, ai do ta drejtojë Gjermaninë në Kampionatin Evropian 2028 dhe në Kupën e Botës 2030.

Klopp do të përfitojë një pagë disi më të lartë se paraardhësi i tij, Julian Nagelsmann, i cili raportohet se fitonte deri në shtatë milionë euro në vit. Megjithatë, sipas “Die Welt”, aspekti financiar nuk ka qenë vendimtar për teknikun gjerman.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një nga çështjet kryesore ka qenë marrëdhënia e Klopp me kompaninë Red Bull, ku ai mban postin e drejtuesit global të futbollit me një kontratë që zgjat deri në vitin 2029. Sipas gazetës, nuk do të ketë dëmshpërblim për ndërprerjen e parakohshme të këtij angazhimi, pasi Klopp do të vazhdojë të bashkëpunojë me Red Bull në rolin e ambasadorit të markës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Edhe stafi teknik duket se është pothuajse i përcaktuar. Ndihmësi i parë pritet të jetë Peter “Piet” Krawietz, bashkëpunëtori i tij prej vitesh te Borussia Dortmund dhe Liverpool, ndërsa asistenti i dytë pritet të jetë holandezi Pepijn Lijnders, ish-zëvendësi i Klopp te Liverpool dhe së fundmi pjesë e stafit të Pep Guardiolës te Manchester City. Ndërkohë, Zsolt Löw nuk pritet t’i bashkohet ekipit teknik.

Sipas raportimit, edhe çështjet që lidhen me kontratat e sponsorizimit janë pranë zgjidhjes. Marrëveshja personale e Klopp me Adidas do të përfundojë pas Botërorit 2026 dhe nuk do të rinovohet, ndërsa mbetet për t’u sqaruar përputhshmëria e kontratës së tij me Deutsche Vermögensberatung (DVAG) me partneritetin e DFB-së me kompaninë Ergo.

Firmosja e kontratës pritet të bëhet pas kthimit të drejtuesve të federatës nga Shtetet e Bashkuara. Debutimi i parë publik i Klopp si trajner i Gjermanisë mund të jetë në Superkupën e Gjermanisë më 22 gusht në Dortmund, ku do të përballen Borussia Dortmund dhe Bayern Munich.

Takimi në Nju Jork synon të finalizojë projektin sportiv dhe të forcojë marrëdhëniet mes Klopp dhe drejtuesve të DFB-së, duke ndjekur të njëjtin model të vitit 2004, kur në të njëjtin qytet u arrit marrëveshja me Jürgen Klinsmann për drejtimin e kombëtares. Nëse emërimi konfirmohet, Klopp do të bëhet trajneri i 13-të në historinë e kombëtares gjermane.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?