
Në kuadër të edicionit të parë të Javës së Demokracisë 2026, Elbasani po e shndërron sportin në një hapësirë bashkëpunimi, gjithëpërfshirjeje dhe pjesëmarrjeje qytetare. Nën kujdesin e Drejtorit të Përgjithshëm të Kulturës dhe Sporteve, Artin Kovaçi, Klubi Shumësportësh Elbasani është bërë pjesë e kësaj nisme, duke mbështetur organizimin e aktiviteteve që përcjellin vlerat e respektit, barazisë dhe solidaritetit.
Aktivitetet sportive u zhvilluan njëkohësisht në shkollat dhe terrenet sportive të qytetit, duke përfshirë fëmijë të arsimit parashkollor, nxënës të shkollave dhe të rinj. Një atmosferë e veçantë u krijua në stadiumin “Elbasan Arena”, ku vogëlushët u përfshinë në ecje, vrapime dhe lojëra sportive, të veshur me uniformat verdheblu të klubit.
Përmes kësaj nisme, Klubi Shumësportësh Elbasani përcjell mesazhin se sporti është për të gjithë dhe se vlerat e tij shkojnë përtej garës dhe rezultateve. Ai është një mjet i rëndësishëm për edukimin e brezave të rinj, forcimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e një komuniteti më aktiv e gjithëpërfshirës.
Elbasani feston demokracinë përmes sportit, duke afruar njerëzit dhe duke nxitur pjesëmarrjen e të gjithëve në jetën e qytetit!

