Kolo Muani: Me Juven në Botërorin e Klubeve, më pas do të shohim …

Pas paraqitjes si titullar në miqësoren Francë–Gjermani, sulmuesi francez Kolo Muani ka folur për të ardhmen e tij, në një moment ku huazimi te Juventusi pritet të përfundojë më 30 qershor.
Ai u shpreh i kënaqur me eksperiencën në Torino dhe theksoi dëshirën për të vijuar aventurën me “Zonjën e Vjetër”:
“Jam shumë i lumtur që kam luajtur sërish, si me kombëtaren, ashtu edhe me klubin. Te Juventusi ndjehem mirë, më kanë pritur ngrohtë dhe po e shijoj çdo moment. Shpresoj të qëndroj.”
Sulmuesi 25-vjeçar ka lënë një përshtypje të mirë në fanellën bardhezi, duke realizuar 8 gola dhe dhënë 2 asistime në 19 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Ai gjithashtu konfirmoi pjesëmarrjen me Juventusin në Kupën e Botës për Klube, përpara se të vendoset përfundimisht për të ardhmen e tij.
Duket se vendimi për qëndrimin e Kolo Muanit në Torino tashmë varet nga drejtuesit e klubit dhe opsionet e mundshme të merkatos së verës.