Kombëtarja në alarm, probleme për Roshin dhe Memollën

Kombëtarja Shqiptare është në ankth për gjendjen e Odise Roshit. Mesfushori kuqezi u stërvit i diferencuar në seancën stërvitore të paradites së kësaj të marte, për shkak të një problemi në kavilje. Edhe pse fillimisht u raportua se situata lidhej me ngarkesën fizike, problemi duket më serioz.

Roshi ka një lëndim në kavilje, e cila është shoqëruar me një ënjtje të pazakontë. Kjo ka bërë që “raketa kuqezi” ta ketë të vështirë të vrapojë, ndërsa stafi mjekësor mori menjëherë masat. Roshi iu nënshtrua rezonancës magnetike, e cila do të konfirmojë shkallën e lëndimit apo edhe faktin nëse lojtari asist i edicionit të kaluar do të jetë në gjendje që të luajë normalisht në ndeshjet me Bjellorusinë dhe Lituaninë.

Edhe Hysen Memolla u paraqit i dëmtuar në grumbullim dhe po stërvitet i diferencuar, ndërsa më e lehtë duket gjendja e Berat Gjimshitit, i cili ka vetëm një lodhje muskulore. Mëngjesin e kësaj të marte, kombëtarja kuqezi, së bashku me stafin drejtues iu nënshtruan testimeve për Covid-19. Tamponët u kryen nga të gjithë futbollistët, stafi teknik, por edhe delegacioni shqiptar që do të udhëtojë drejt Minskut.

SHKARKO APP