Kombëtarja U-17 e vajzave pëson humbje ndaj Izraelit
Kombëtarja shqiptare e vajzave U-17 luajti sot ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kampionatit Europian ndaj Izraelit. Ndeshja e luajtur në Centre d’Entrenament FAF Santa Coloma u mbyll me fitoren e Izraelit 3-1. Golin e vetëm për ekipin Kombëtar e realizoi Amelia Reci.
Ndeshja nuk nisi mirë për Shqipërinë, pasi ekipi mbeti me 10 lojtarë që në minutën e 19-të. Marina Rushaj u ndëshkua me të kuq dhe Izraeli shënoi golin e parë të takimit në minutën e 23-të me Ben Zvi. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat.
Pavarësisht disavantazhit numerik, Kombëtarja barazoi rezultatin në minutën e 67-të me Amelia Recin. Sulmuesja shënoi një supergol me një goditje fantastike nga jashtë zone.
Kur gjithçka po shkonte drejt fundit, Izraeli shënoi dy gola në kohën shtesë me Ella Esther Fabian dhe ndeshja u mbyll 3-1.
Më 7 mars, Shqipëria do të përballet me Andorrën pritëse në orën 15:00, ndërsa më 10 mars, përfaqësuesja kuqezi do të luajë ndeshjen e fundit ndaj Bjellorusisë në orën 12:00.
KOHA JONË SONDAZH

