Kombëtarja U-21 zyrtarizon miqësore me Italinë, luhet më 8 qershor në Pordenone
Kombëtarja U-21 do të zhvillojë një tjetër test të rëndësishëm ndërkombëtar, teksa më 8 qershor 2026 do të përballet me Italinë U-21 në stadiumin “Omero Tognon” në Pordenone.
Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur marrëveshjen me Federatën Italiane të Futbollit për zhvillimin e kësaj ndeshjeje miqësore, e cila do të nisë në orën 18:15.
Kjo përballje do të jetë ndeshja e dytë në kuadër të grumbullimit të muajit qershor për Kombëtaren U-21. Ndërkohë, FSHF është duke punuar për të finalizuar edhe një tjetër ndeshje miqësore, që pritet të zhvillohet gjatë javës së parë të muajit qershor.
Këto ndeshje miqësore janë pjesë e përgatitjeve të Kombëtares U-21 në kuadër të Kampionatit Europian U-21 2027, ku Shqipëria është e kualifikuar automatikisht si një nga vendet organizatore.
Skuadra kuqezi vjen në këtë fazë me një formë shumë pozitive, duke regjistruar katër fitore në katër ndeshjet e fundit miqësore. Takimet e qershorit do t’i shërbejnë stafit teknik, të drejtuar nga Alban Bushi, për të vlerësuar dhe testuar elementët e grupit në prag të përfundimit të sezonit 2025-2026.
KOHA JONË SONDAZH

