Kombëtarja zhvillon seancën e dytë me grup të plotë, stërvitet edhe Asllani
Kombëtarja shqiptare e futbollit zhvilloi këtë të martë seancën e dytë stërvitore, me ekipin që është i plotë tashmë për t’u përgatitur për ndeshjet e muajit nëntor ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, të vlefshme për kualifikueset e EURO 2024.
Skuadrës “kuqezi” i janë bashkuar pasditen e së hënës edhe Laçi, Mitaj, Berisha, Daku e Kastrati, të cilët nuk ishin në ditën e parë të grumbullimit në “Shtëpinë e Futbollit”, për shkak se nuk kishin mbërritur ende.
Gjendja e ekipit paraqitet e mirë, ndërsa të gjithë po punojnë së bashku, përfshirë edhe Kristjan Asllanin, që në ditën e parë zhvilloi stërvitje të diferencuar.
Rikujtojmë që i vetmi ndryshim në listën e trajnerit Sylvinho është Arlind Ajeti, i cili pësoi një dëmtim dhe do i humbasë këto dy ndeshje, ndërsa në vend të tij ekipit iu bashkua Kombëtares mbrojtësi i Lokomotiva Zagreb, Jon Mersinaj.
Më 17 nëntor, në orën 18:00 Shqipëria do të përballet në transfertë me Moldavinë, ndërsa më 20 nëntor në orën 20:45, Kombëtarja do të ndeshet në “Air Albania” me Ishujt Faroe, teksa “kuqezinjve” u duhet vetëm një pikë për të nisur “fluturimin” drejt Gjermanisë.
KOHA JONË SONDAZH

