Kombëtarja zhvillon seancën e parë anti-Serbi, Duka: Kualifikimin, që më 8 tetor

Misioni anti -Serbi ka nisur zyrtarisht.

De Biasi ka filluar përgatitjet me pjesën më të madhe të futbollistëve që janë thërritur për takimin e 8 tetorit sipas një plani të mirë-organizuar që parashikon edhe detajet më të vogla. Kapiteni Lorik Cana edhe pse nuk luajti në ndeshjen e fundjavës në kampionatin francez mes Nice dhe Nantes është shfaqur në stërvitje i qetë ndërsa një sinjal pozitiv për formën e tij janë edhe pamjet në të cilat shfaqet duke ecur normalisht pas dëmtimit që pësoi në mesjavë në kaviljen e këmbës së majtë. I rikuperuar plotësisht është ndërkohë edhe Burim Kukeli i cili është i gatshëm për sfidën, por nuk është e thënë që shqetësimet për De Biasin të mungojnë për sa i përket formës së dy futbollistëve të tjerë.  Në seancën e parë Gianni de Biasi ka preferuar të rezervojë një stërvitje më të lehtë për futbollistët që janë aktivizuar të dielën me Etrit Berishën dhe lojtarët që aktiviziohen në Zvicër si Gashi, Abrashi, Xhimshiti, Sadiku etj., që kanë zhvilluar një seancë më të reduktuar.

Nuk ka mundur të kapë seancën e parë stërvitore Elsid Hysaj që ka mbërritur më vonë në ambientet e Hotel Tropikal ku është akomoduar Kombëtarja. Kuqezinjtë janë grumbulluar në një atmosferë mjaft pozitive ndërkohë që do ti vazhdojnë përgatitjet në një rregjim të rreptë të vendosur nga Trajneri De Biasi që ka blinduar Hotelin ku ndodhen kuqezinjtë në mënyrë që futbollistë të jenë sa më të qetë dhe të përqëndrohen plotësisht te ndeshja vendimtare me Serbinë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duka: Kualifikimin ta arrijmë më 8 tetor

Swiss Digital Mobile Reklama

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i pranishëm në ambientet e resortit “Tropikal” ku është grumbulluar Kombëtarja për dy sfidat e fundit eliminatore të Euro 2016 me Serbinë dhe Armeninë foli për rëndësinë që ka përballja e radhës pas gjithë atyre sakrificave që kuqezinjtë kanë bërë për të prekur finalet e Europianit. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar është i bindur se përfaqësueja shqiptare do të dijë ta vlerësojë dhe manaxhojë si duhet takimin e “nxehtë” me Serbinë për ta siguruar kualifikimin pse jo që më 8 Tetor.

“Çdo ndeshje për ne ka qenë një finale. Për pozicionin që jemi sfida me Serbinë merr rëndësi të vecantë. Jam i bindur që ekipi di ta vlerësojë rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe pse jo ta arrijmë kualifikimin që me 8 Tetor”.

Sipas Dukës ky derbi ballkanas duhet menduar si ndeshja e radhës, pa ato ngarkesat emocionale që mund ta dëmtojnë skuadrën tonë.

“Në Shqipëri nuk janë shënuar kurrë incidente të rënda. Tifozët tanë dinë si  të sillen në stadium dhe kjo duhet vlerësuar si një ndeshje si gjithë të tjerat.  Do ta përcjellim me të njëjtin dinjitet sic e kanë bërë edhe në ndeshjet e tjera”.

Mungesa e Mavrajt, sipas Dukës, është e rëndësishme, por Kombëtarja jonë ka arritur në një stad kur mund të suportojë probleme nga më të ndryshmet falë organikës së pasur.

“Ekipi është në gatishmëri përveç Mavrajt, por kualitetet e tjera që ka skuadra do ta mbulojnë këtë mangësi me të njëjtin nivel. Që nga fillimi i edicionit kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira dhe unë jam i bindur se edhe këtë radhë i kemi cilësitë për të zhvilluar një takim shumë cilësor. Serbia është një ekip me shumë kualitete por nuk është një skuadër e fortë. Këtë e tregojnë rezultatet e deritanishme. Ata kanë individë që mund të të bëjnë keq në çdo moment, por nuk janë një grup, të paktën jo në këtë edicion”.

Duka ka një apel edhe për tifozët, sjellja e të cilëve është shumë e rëndësishme për t’i ardhur në ndihmë skuadrës në në arritjen e objektivit final.

“Në radhë të parë do të doja t’u kërkoja falje të gjithë tifozëve, të cilët nuk do të kenë mundësi të jenë në stadium. Kemi patur kaq shumë kërkesa sa është e pamundur që t’i plotësojmë me kapacitetin e “Elbasan Arenas”. Mbështetja e Kombëtares nuk është vetëm në 90 minutat e lojës, ajo ka filluar me kohë dhe do të vijojë edhe gjatë këtyre ditëve me një atmosferë entuziaste”.

Duka kërkon të heqë presionin nga kuqezinjtë, duke kujtuar se cfarëdo që të ndodhë më Tetor, Shqipëria ka edhe dy mundësi të tjera, duke patur parasysh Play-Off-in për të shkuar në Francë. – “Ne kemi tre mundësi për të shkuar në Francë. Çfarëdo të ndodhë në sfidën me Serbinë, do të kemi edhe një ndeshje tjetër me Armeninë dhe në rast se nuk do të arrijmë vendin e dytë, do të luajmë në Play-Off”.

I famshmi Rizzoli gjykon Shqipëri-Serbi

Ndeshja e 8 tetorit në “Elbasan Arena” do të drejtohet nga një arbitër shumë i njohur nga shqiptarët por edhe në mbarë botën. Në përballjen e madhe do të mbajë drejtësi Nicola Rizzoli, i shoqëruar nga një trupë gjyqtarësh italianë, siç konfirmon faqja zyrtare e Uefa-s në internet. Rëndësia maksimale që po i jepet kësaj ndeshje në lidhje me sigurinë nga ana e qeverisë europiane të futbollit shkon paralelisht me kujdesin e Uefa-s për të evituar cdo episod arbitrimi që mund të ndikojë për keq në një ndeshje të rivalitetit të madh, ndaj dhe organizmi europian ka vendosur ti besojë drejtësinë në fushën e blertë një prej arbitrave më të mirë në botë për momentin. Rizzoli është padyshim një ndër arbitrat më të vlerësuar në Itali ku së fundmi drejtoi edhe kryendeshjen e kësaj fundjave Milan-Napoli, ndërsa kurba e karrierës së tij vjen në rritje prej disa vitesh dhe arriti kulmin me drejtimin e ndeshjes më të rëndësishme në botë, finalen e Kupës së Botës Brazil, 2014 mes Gjermanisë dhe Argjentinës në Maracana. 43 vjecari që në jetën e tij të përditshme ushtron edhe profesionin e arkitektit, ka nisur arbitrimin në Serinë A që në vitin 2002 ndërsa në vitin 2007 mori dhe stemën e Fifa-s. Në 2013 Rizzoli drejtoi finalen e Champions League në Wembley mes Bajernit të Mynihut dhe Borusias së Dortmundit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?