Komisioneri Evropian për Sportin reagon për rastin Balogun: Vendimet disiplinore të FIFA-s duhet të mbeten të pavarura!
Komisioneri Evropian për Sportin ka reaguar ndaj debatit të krijuar pas vendimit të FIFA-s për të pezulluar dënimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun, duke theksuar se institucionet politike nuk duhet të ndërhyjnë në proceset disiplinore të organizatave sportive.
Në deklaratën e tij, ai nënvizoi se Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë për të rishikuar apo ndikuar në vendimet e marra nga organet disiplinore të FIFA-s, duke theksuar se autonomia e institucioneve sportive është një parim themelor që duhet respektuar.
“Pavarësia e organizatave sportive duhet të mbrohet, për sa kohë vendimet e tyre merren në përputhje me rregullat dhe kuadrin ligjor ndërkombëtar”, theksoi komisioneri.
Reagimi vjen në një kohë kur Belgjika ka shprehur pakënaqësi të fortë ndaj vendimit që i mundëson Balogun të aktivizohet në ndeshjen e Kupës së Botës përballë “Djajve të Kuq”. Federata Belge e Futbollit po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së hapave zyrtarë kundër vendimit, ndërsa edhe përfaqësues politikë në vend e kanë cilësuar atë si të papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet e lojës së ndershme.
Rasti i Balogun është shndërruar në një nga çështjet më të debatueshme të Botërorit 2026, duke nxitur diskutime mbi zbatimin e rregullave disiplinore nga FIFA dhe kufijtë e ndërhyrjes së institucioneve politike në vendimmarrjen e organeve sportive.
KOHA JONË SONDAZH

