Kongresi amerikan kërkon sqarime nga FIFA për lidhjet mes Infantinos dhe Trumpit
Marrëdhënia e afërt mes presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, dhe presidentit amerikan Donald Trump ka shkaktuar reagime edhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
Deputeti demokrat Jamie Raskin, një nga figurat më të rëndësishme të Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve, i ka kërkuar FIFA-s dhe Infantinos të dorëzojnë deri më 9 gusht informacione mbi kontaktet dhe komunikimet me administratën amerikane.
Përveç kësaj, Raskin ka kërkuar që Infantino të paraqitet për një dëshmi para Komisionit të Drejtësisë sa herë që ndodhet në SHBA, në mënyrë që të japë sqarime mbi marrëdhëniet me qeverinë amerikane.
Kërkesa vjen pas kritikave të shumta ndaj drejtuesit të FIFA-s, i cili akuzohet se ka përfituar mbështetjen e administratës Trump përmes disa vendimeve të diskutueshme. Një prej çështjeve të përmendura është krijimi i një çmimi të ri për paqen nga FIFA, i cili iu dorëzua Trumpit pasi ai nuk fitoi Çmimin Nobel për Paqe.
Gjithashtu është ngritur debat edhe për një rast gjatë Kupës së Botës, ku sulmuesi amerikan Folarin Balogun u lejua të luante në fazën e 1/8-ave pas heqjes së një pezullimi, vendim që erdhi pas një telefonate të Trumpit me Infantino. FIFA ka deklaruar se vendimi u mor nga Komisioni Disiplinor, i cili sipas saj është i pavarur.
Në letrën e tij, Raskin ka përmendur edhe faktin se FIFA ka marrë me qira një hapësirë zyrash në Trump Tower në Nju Jork, me një vlerë të mundshme rreth 600 mijë dollarë në vit. Sipas tij, së bashku me çmimin për paqen, kjo krijon dyshime se organizata ndërkombëtare mund të ketë kërkuar favorizime nga Trump dhe administrata e tij.
Deputeti demokrat ka kërkuar gjithashtu një listë të plotë të çdo transferimi financiar apo dhurate që FIFA mund t’i ketë dhënë Trumpit, administratës së tij apo familjarëve të tij. Po ashtu, ai kërkon të zbardhen komunikimet mbi çmimet e biletave për Kupën e Botës, të cilat janë kritikuar për kostot e larta, si dhe listat e vizitorëve në zyrat e FIFA-s në Miami dhe Nju Jork.
Çështja pritet të marrë më shumë vëmendje nëse demokratët arrijnë të fitojnë shumicën në zgjedhjet parlamentare të nëntorit, pasi Jamie Raskin mund të marrë drejtimin e Komisionit të Drejtësisë.
KOHA JONË SONDAZH

