Kontakte pozitive, Kolo Muani shumë pranë rikthimit te Juventusi
Juventusi është shumë pranë mbylljes së marrëveshjes për rikthimin e Randal Kolo Muanit. Gjatë orëve të fundit negociatat mes “Zonjës së Vjetër” dhe Paris Saint-Germain kanë përparuar ndjeshëm, ndërsa palët janë vetëm një hap larg akordit përfundimtar.
Që prej mbrëmjes së së hënës në Itali flitej për orë vendimtare në lidhje me rikthimin e sulmuesit francez në Torino. Sipas raportimeve, trajneri Luciano Spalletti ka këmbëngulur fort që klubi ta mbyllë me sukses këtë transferim, i cili ka qenë një nga sagat më të gjata të merkatos së verës.
Formula e marrëveshjes parashikon huazimin e Kolo Muanit me detyrim blerjeje për 40 milionë euro, plus bonuse. Pikërisht rritja e bonusit dhe një klauzolë që lidhet me përfitimet nga një shitje e ardhshme kanë qenë elementët kyç që kanë afruar palët drejt marrëveshjes.
Sulmuesi francez e njeh mirë ambientin bardhezi, pasi luajti me Juventusin nga janari deri në qershor të vitit 2025. Gjatë asaj periudhe ai regjistroi 22 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke realizuar 10 gola dhe dhënë 3 asistime në Serie A, Kupën e Italisë, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube.
Verën e kaluar, drejtori i atëhershëm sportiv i Juventusit, Damien Comolli, zhvilloi negociata të gjata me PSG-në për ta mbajtur sërish Kolo Muanin në Torino me një tjetër huazim, por kërkesat financiare të klubit francez e bënë marrëveshjen të pamundur. Si alternativë, Juventusi u orientua drejt transferimit të Loïs Opendës në ditët e fundit të merkatos.
Pas një sezoni të kaluar në huazim te Tottenhami, gjithçka tregon se Randal Kolo Muani është gati të nisë kapitullin e dytë të aventurës së tij me fanellën e Juventusit.
KOHA JONË SONDAZH

