Kosova thyhet nga 4 gola në Bazel, Dardanët në një pozitë të vështirë
Kombëtarja e Kosovës ka pësuar një humbje të thellë prej 4-0 ndaj Zvicrës, në ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026, e zhvilluar në qytetin e Bazelit.
Që nga fillimi i takimit, Zvicra e dominoi ndeshjen si në posedim ashtu edhe në krijimin e rasteve të rrezikshme. Epërsia u vendos në minutën e 22-të kur mbrojtësi Manuel Akanji realizoi me kokë pas një goditje nga këndi, duke kaluar vendasit në avantazh.
Vetëm tre minuta më vonë, në të 25-ën, Breel Embolo dyfishoi shifrat pas një asistimi nga Dan Ndoye, duke e vendosur Kosovën në një pozitë të vështirë.
Dominimi i helvetikëve vazhdoi edhe më tej, dhe në minutën e 39-të, Silvan Widmer shtoi golin e tretë për Zvicrën, duke përfituar nga një tjetër pasiguri në mbrojtjen e Kosovës.
Turpi për ‘Dardanët’ u vulos në sekondat e fundit të pjesës së parë, kur Breel Embolo realizoi golin e tij të dytë personal dhe të katërtin për skuadrën zvicerane, duke e çuar rezultatin në 4-0 para pushimit.
Pas kësaj disfate të rëndë, Kosova do të përpiqet ta lërë pas këtë ndeshje dhe të rikthehet më e përqendruar në sfidën e radhës, ku më 8 shtator në ‘Fadil Vokrri’ do të përballet me Suedinë, në një tjetër ndeshje të vështirë kualifikuese.
KOHA JONË SONDAZH

