Kristian Prenga, “Bisha” e Shqipërisë që i ka futur frikën Joshua me rekord nokautesh
Bota e boksit po përgatitet për rikthimin e madh të Anthony Joshua, i cili do të hyjë sërish në ring më 25 korrik në një duel që po tërheq shumë vëmendje. Përballë tij do të jetë një emër pak i njohur për publikun e gjerë, por me statistikë mbresëlënëse: Kristian Prenga.
Prenga është një boksier shqiptar në kategorinë e peshave të rënda, i cili jeton dhe stërvitet në Neë Jersey, SHBA. Ai ka një rekord profesional prej 20 fitoresh dhe 1 humbjeje, me të gjitha fitoret e arritura me nokaut, një statistikë që e bën të veçantë në letër.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se ky rekord është ndërtuar ndaj kundërshtarëve të nivelit mesatar dhe Prenga nuk ka përvojë në raunde të gjata kampionati apo në duele të nivelit elitar botëror.
Në tre ndeshjet e fundit, ai ka fituar të gjitha me nokaut në raundin e parë, duke konfirmuar fuqinë e tij goditëse. Para karrierës në boks profesionist, Prenga ka garuar edhe si kikboksier.

Një nga fitoret më të njohura të tij është ndaj amerikanit Joey Dawejko, një emër i njohur në skenën amerikane të boksit, i cili ka qenë gjithashtu partner i Joshua-s në të kaluarën.
Dueli me Prengën shihet si një test rikthimi për Joshua-n, i cili vjen pas një periudhe të gjatë mungese dhe një rikuperimi të vështirë fizik dhe emocional pas një aksidenti tragjik që e mbajti larg ringut për muaj të tërë.
Promotorët e përshkruajnë këtë sfidë si një ndeshje “ngrohëse” përpara superpërballjes së mundshme mes Joshua-s dhe Tyson Fury, një duel i shumëpritur në botën e peshave të rënda.
Nga ana e tij, Prenga ka shprehur besim të madh, duke deklaruar se Joshua e ka nënvlerësuar dhe se do të synojë të prishë planet për përballjen e tij me Fury-n. Edhe ekipi i tij e sheh këtë mundësi si një hap të madh në karrierën e boksierit shqiptar.
Dueli pritet të jetë një nga ngjarjet më të ndjekura të verës, jo vetëm për rikthimin e Joshua-s, por edhe për faktin se një boksier shqiptar do të ndajë ringun me një nga emrat më të mëdhenj të dekadës së fundit në boksin profesionist. /Rozalb Lika-Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

