Kritika të ashpra në Spanjë për Barcelonën: PSG B u dha një leksion!
Humbja e Barcelonës 1-2 përballë Paris Saint-Germain në Champions League ka befasuar median spanjolle, e cila pranoi superioritetin e kampionëve të Europës, pavarësisht mungesave të shumta në formacionin e parisienëve.
“Dush realiteti” ishte titulli i gazetës Marca, që theksoi sesi entuziazmi blaugrana u shua përballë soliditetit të skuadrës së Luis Enrique-s: “Nuk ishte një ndeshje e keqe e Barcelonës, por PSG i vuri nën presion, duke shuar optimizmin që kishte pushtuar qytetin. Edhe më e dhimbshme duke pasur parasysh që francezët nuk kishin në fushë formacionin e tyre më të mirë”.
Në të njëjtën linjë edhe Mundo Deportivo, që e quajti rezultatin “një humbje mizore”, duke nënvizuar se Barça humbi një mundësi të rëndësishme për të matur forcën kundër kampionëve në fuqi dhe duke dhënë ndjesinë e një hapi pas në arenën europiane.
Më kritik ishte As, që e përshkroi ndeshjen si një “kurs magjistral i PSG-së”. Sipas të përditshmes madrilene, forca fizike dhe vazhdimësia në lojë e parisienëve thyen një Barcelonë të paaftë të mbante ritmin për më shumë se një orë: “Një spektakël i madh, por blaugranat ishin në vështirësi prej kohësh”.

KOHA JONË SONDAZH

