Kroacia ngre zërin ndaj FIFA-s: Teknologjia na eliminoi padrejtësisht nga Botërori!

Polemikat rreth arbitrimit në Kupën e Botës 2026 nuk kanë të ndalur. Pas debatit për rastin e Folarin Balogun, tashmë në qendër të vëmendjes është Kroacia, e cila ka protestuar zyrtarisht pranë FIFA-s pas eliminimit nga Portugalia në fazën e 1/16-ave.

Shkaku kryesor i reagimit është anulimi i golit të barazimit 2-2 të Josko Gvardiolit, një vendim që u mor falë teknologjisë së topit inteligjent. Sipas FIFA-s, sensori i integruar në top ka regjistruar një kontakt minimal me flokët e Igor Matanović, i cili konsiderohej në pozicion jashtë loje dhe aktiv në aksion.

Ky shpjegim nuk e ka bindur Federatën Kroate të Futbollit (HNS), e cila i ka dërguar një letër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ku shpreh “zhgënjimin e thellë” jo vetëm për vendimet e arbitrave, por edhe për mënyrën se si u aplikua teknologjia.

Swiss Digital Desktop Reklama

Zëdhënësi i federatës, Tomislav Pacak, kritikoi edhe penalltinë e akorduar në favor të Portugalisë, duke argumentuar se sistemi VAR nuk duhej ta kishte thirrur arbitrin Espen Eskas për rishikimin e aksionit.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Besojmë se protokolli i VAR-it është zbatuar në mënyrë krejtësisht të gabuar dhe se, në rastin e golit të Gvardiolit, janë tradhtuar si rregullat ashtu edhe fryma e futbollit. Pasalic u sinjalizua në pozicion jashtë loje për shkak të një ndërhyrjeje që Matanović nuk e bëri kurrë, duke u bazuar vetëm te sensori i topit”, deklaroi Pacak.

Federata kroate nuk synon të mjaftohet vetëm me një protestë. Ajo i ka kërkuar FIFA-s një përgjigje zyrtare, duke e cilësuar përdorimin e teknologjisë në këtë rast si “abuzim”, ndërsa paralajmëron se vendime të tilla mund të krijojnë precedentë të rrezikshëm dhe të dëmtojnë besueshmërinë e sistemit të arbitrimit.

Me këtë reagim, Kroacia bëhet kombëtarja e radhës që sfidon hapur FIFA-n në një Botëror që, përveç spektaklit në fushë, po shoqërohet edhe nga polemika të shumta jashtë saj.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?