Kryeministri Rama uron Dukën për rizgjedhjen në KE-në e UEFA-s: Nder për Shqipërinë dhe futbollin shqiptar!
Familja e futbollit shqiptar gjatë këtyre viteve është përpjekur shumë për të bërë hapa përpara dhe ia ka dalë të regjistrojë suksese të mëdha, madje historike. Veç kualifikimit në “Euro 2016” si pasojë e rezultateve sportive, ky komunitet ia doli të bindte UEFA-n t’i besonte finalen e parë të Conference League, që ishte një sukses i madh për FSHF-në dhe e ktheu Tiranën në qendër të vëmendjës botërore.
Më pas komuniteti europian i futbollit i besoi për të dytën herë një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s presidentit të FSHF Armand Duka, një arritje e madhe për futbollin shqiptar. 45 votat e marra, si asnjë anëtar tjetër që mori pjesë në garë, nuk kanë kaluar pa u vënë re as nga kryeministri i vendit, Edi Rama.
Kreu i qeverisë e uroi publikisht Dukën për zgjedhjen e tij në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, ndërkohë që shprehu hapur mbështetjen për të qenë krah FSHF për organizimin e një tjetër eventi të rëndësishëm, si finalet e një kampionati europian për moshat.
“Po shfrytëzoj këtë moment për të uruar presidentin e FSHF Armand Duka për zgjedhjen e tij për herë të dytë në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Nuk është e rastit dhe është nder për Shqipërinë që të jetë pjesë e vendimmarrjes në qeverisjen e futbollit”, tha Rama gjatë ceremonisë së përzgjedhjes së projektit të stadiumit të ri të Korçës, që u lançua në janar të këtij viti.
Kryeministri Rama tha se mbështet ambicien e FSHF-s për të mundësuar pritjen e finaleve të një Kampionati Europian për të rinjtë, organizuar nga UEFA. FSHF ka aplikuar për këtë projekt gjigant dhe pret vendimin e UEFA-s.
“Ky është një projekt gjigant dhe ndaj duhet të jemi gati për të në vitin 2025”, tha Rama gjatë fjalës së tij në Korçë për projektin madhor.