Kryeqyteti “u zgjua”, e premtja e 13 një reklamë e bukur futbolli në Shqipëri

Nga Rozalb Lika

Për supersticiozët numri 13 sjell ters, dhe kur bëhet bashkë edhe me ditën e premte, bëhet një ditë edhe më e vështirë për ta. Gjithsesi Tirana në mbrëmjen e 13 dhjetorit (e premte) duket se kishte fituar gjallërinë që i mungonte prej ditësh. Në fakt që nga orët e para të 26 nëntorit, kryeqyteti dhe zonat përreth kishin përjetuar mbrëmje të vështira, plotë ankth. Për herë të parë në baret e kryeqytetit nuk dëgjojë më biseda për tërmetin, por për derbin. Në orën 19:00 do të luhej sfida mes Partizanit dhe Tiranës, i pari për këtë sezon në impiantin e ri “Air Albania”, teksa kureshtja, por dhe frika ishte e madhe për trazira. Tifozët e zjarrtë të të dyja skuadrave na kanë mësuar se një duel i tillë nuk mund të kalohet pa përplasje mes tyre.

Teksa po i drejtohesha stadiumit, vura re një qetësi të rrallë në ambientet pranë tribunës qendrore, por dhe përreth, askush nuk mendonte për të pasur konflikte, të gjithë e kishin mendjen për të qenë të pranishëm dhe për të dhënë sado pak një ndihmë për të prekurit nga tërmeti. Federata dhe klubi organizator Partizani kishin vendosur që gjysmën e të ardhurave nga biletat të shkonte pikërisht për ta. Tifozeritë e të dyja skuadrave kishin filluar që të mbushnin tribunat e tyre dy orë para sfidës, teksa nuk mungonin edhe brohërimat në çastet që futbollistët futen në fushë për të parë impiantin. Organizatorët kishin menduar gjithçka në detaje, teksa parakaluan në fushë edhe grupet e kërkim shpëtimit që morën pjesë në operacionin për t’i ardhur në ndihmë personave të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Dhjetëra pjesëtarë të FA, policisë dhe zjarrfikësve zbritën në fushë duke marrë duartrokitjet e mijëra të pranishmëve në stadiumin e ri.

Më pas gjyqtari Enea Jorgji drejtoi të dyja skuadrat në tapetin e blertë, ndërkohë që të dyja tifozeritë kishin përgatitur banderolat e tyre për këtë ndeshje. Për herë të parë nuk kishte asnjë me efekt thumbues për kundërshtarin, por për tragjedinë që preku Shqipërinë pak ditë më parë. “Muret do të ngrihen sërish, engjëjt do kujtohen përgjithmonë”, shkruhej në banderolën gjigante të tifozëve të kuq, ndërkohë që në krahun tjetër edhe ata bardheblu kishin menduar diçka unikale: “Tërbimi i tokës gjakun na zgjoi, lot për kë iku mes nesh më s’qëndroi. Po dhimbja e fortë na dha pakëz liri, sërish e tregoi Kosovën- Shqipni”.


Vëmendjen më pas e mori fusha e blertë, ndërkohë që tifozeria e Tiranës u kujdes që të ndizte atmosferën me flakadanë, duke i dhënë zemër skuadrës në minutat e para. Një gjë që funksionoi, pasi bardhblutë shënuan shumë shpejt me Bathën, por kaq shpejt edhe do ta humbisnin përqendrimin duke u barazuar 4 minuta më pas nga goli i Bardhit. Ishte një duel i bukur, shumë i luftuar dhe i denjë për një reklamë të bukur për futbollin shqiptar, aq shumë të kritikuar në vitet e fundit. Të premten në mbrëmje kishte futboll, por edhe më shumë, kishte atmosferë, kishte qytetari dhe kishte edhe gëzim dhe zhgënjim. Fansat bardhblu ngacmonin në disa raste me epitetin “morrat”, por edhe ata “të kuq” nuk ja kursenin menjëherë duke i cilësuar si “lepurusha”.

Pas një pjese të para me shumë emocione, në të dytët ritmi ra ndjeshëm, por atmosfera e ndezur vijoi të mbizotëronte në shkallët e stadiumit. Për të shkuar te minutat e fundit, kur ekipet humbën disi vendosjet e përpikta taktike për t’u hedhur në sulm në kërkim të golit të fitores, i cili erdhi për Tiranën në minutën e 90-të, teksa Cobbinah, finalizoi një aksion të gjatë. Në tribunën “Vasillaq Zëri” ku ishin vendosur tifozët bardheblu ishte i madh, ndërkohë që në anën tjetër kishte pllakosur heshtja. Ishte një fitore e madhe për Tiranën 24 herë kampione Shqipërisë, e cila mungonte që nga 7 shkurt 2014. Pas ndeshjes tifozeritë u shpërndanë si asnjëherë tjetër me qetësi, ata të Partizanit disi me kokën ulur, por të lumtur, shumë prej tyre thonin nën zë: Ishte një ndeshje e bukur, e merituan fitoren! /Koha Jone/

SHKARKO APP