Kualifikimi historik, De Biasi flet shqip, bën krahasimin me Skënderbeun
Ceremonia e FSHF-së për kualifikimin e Kombëtares në “Euro 2016” u zhvillua sot pasdite në Pallatin e Brigadave në praninë e futbollistëve dhe stafit të ekipit Kombëtar, personaliteteve më të lartë të sportit shqiptar dhe figurave të shquara të historisë së tij, personaliteteve më të larta të politikës, e përfaqësuesve të komuniteteve fetare. Sulmet terroriste në Paris kishin vënë në mëdyshje organizimit e kësaj ceremonia por presidenti i FSHF Armand Duka shpjegoi personalisht arsyen e vendimit për zhvillimin e saj. Pas fjalës së tij u mbajt 1 minutë heshtjë për viktimat e sulmit terrorist në Paris.
Ambasadori francez në Tiranë, Bernard Fitousi gjeti kohën në këto momente të vështira për Kombin francez për të qenë prezent në këtë ceremoni. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar Duke premtoi të tjera surpriza nga Kombëtarja në Europianin e Francës. “Misioni ynë nuk ka përfunduar këtu. Ne do ta vazhdojmë atë në Europian për të treguar vlerat e futbollit shqiptar. Unë jam i bindur dhe ju garantoj se kombëtarja nuk do të mjaftohet vetëm me kualifikimin në fazën finale por do t’ju dhurojë në europian të tjera emocione dhe surpriza.” Një lajm i mirë edhe për tifozët Kuq e Zi, me numrin një të FSHF që paralajmëroi ngritjen e një qendre për ta në Francë për të mbështetur kombëtaren si dhe krijimin e lehtësirave për tifozët në mënyrë që të ndjekin Kombëtaren në stadiumet e Europianit. – “Ne do të ndërtojmë në Francë një shtëpi për tifozët kuqezi. Një vend ku ata do të mund të mblidhen, të ndjekin ndeshjet dhe do të kenë mundësinë edhe për tu takuar me idhujt e tyre”. Duka ftoi më pas të gjithë anëtarët e Kombëtares dhe stafit për të marrë medaljen e artë që i është akorduar Përfaqësueses nga FSHF.
Trajneri i Kombëtares u drejtua për herë të parë në një fjalim të tërin në shqip, edhe pse jo pa vështirësi, ndërsa zgjodhi simbolikën e heroit tonë Kombëtar Skënderbeut, për të mbyllur debatin ndoshta të panevojshëm se e kujt është merita më e madhe për kualifikimin e Kombëtares në Euro 2016. – “Disa ditë më parë kryeministri Rama ju referua një libri të Alister Campbell për të prekur pikat e përbashkëta në sport, politikë e ekonomi. Unë do t’i referohem një personazhi të Mesjetës. Skënderbeut, ai ishte ushtarak, pra në një farë mënyrë politikan dhe sportist, përveç se ishte dhe Atlet i Krishtit. Si italo-shqiptar e gjej kudo, në sheshin “Albania” në Romë edhe këtu. Pra nuk mund t’i shpëtoj atij. Ndryshe nga Skënderbeu ne nuk jemi heronj, jemi tokësorë, por në lidhje për çështjen se kush ka më shumë merita unë do t’i referohem fakteve historike për të, kur ai ju drejtua popullit pas një fitoreje. “Lirinë nuk e solla unë, fitoren nuk e solla unë, atë e gjeta këtu mes jush, e gjeta në shpirtin shqiptar dhe krenarinë tuaj,” – theksoi ai. Xhani Biasi evidentoi se si ky sukses ishte frut i bashkimit kombëtar të të gjitha trojeve në Kombëtaren Kuq e Zi, duke përdorur sërish simbolikën e Skënderbeut me amanetin e tij të fundit në gojëdhënën e njohur të shkopinjve që nuk thyhen kur janë të bashkuar.
KOHA JONË SONDAZH

