Kukësi eliminohet në Champions, mundet nga Qarabagu i Agollit (VIDEO)
Kukësi nuk ka mundur që të bëjë mrekullinë në Azerbajxhan, duke u eliminuar pas humbjes 3-0 ndaj Qarabagut, në një ndeshje ku nuk lanë asnjë gjurmë. Skuadra e Agollit, i cili qëndroi në stol këtë ndeshje, ekzekutoi 3 herë penallti, duke gjetur në dy raste rrugën e rrjetës, ndërkohë që verilindorët luajtën me një lojtar më pak për thuajse në gjithë pjesën e dytë.
Kukësi vuan që në startin e ndeshjes, duke u vendosur disa herë në vështirësi nga aksionet sulmuese të vendasve. Qarabag ka rastin më të pastër për shënim në minutën e 8-të, kur Michel goditi në hyrje të zonës, por jashtë kuadratit. Në të 19-ën Michel tronditi shtyllën e kuksianëve duke goditur fort me kokë pas një goditje këndi. Këmbëngulja e vendasce do të konkretizohej në minutën e 24-të, pas një penallti të shkaktuar nga portieri Frashëri i cili pengoi sulmuesin Emeghara në zonë. Dani Quintana shënoi me penallti golin e avantazhit për vendasit nga pika e bardhë, duke dërguar topin në mes të portës. Në të 29-n Qaqi shpëtoi Kukësin nga goli i dytë pasi pengon Quintanan të dilte i vetëm në zonë përballë Frashërit. Por pak sekonda më vonë mbrojtja kuksiane driblohet lehtësisht nga nga Emeghara, i cili u pengua në momentin e fundit nga Alla. Cungu vendosi të fillojë pjesën e dytë me ndryshime, duke kërkuar golin që i duhet për kualifikimin, teksa Shpehar dhe Rexhinaldo zunë vendin e Çyrbjes dhe Plakut.
Fillimi i fraksionit të dytë do të ishte i tmerrshëm për verilindorët, të cilët mbetën me një lojtar më pak që nga minuta e 51-të. Alla u ndëshkua me karton të kuq, pasi ndali me dorë një gjuajtje të Emeghara drejt kuadratit dhe për gjyqtarin nuk kishte dyshime për karton të kuq dhe penallti sërish për vendasit. Gjuajtjen e mori përsëripër vetë sulmuesi, i cili u ndal mjaft mirë nga portieri Frashëri, i cili i kuptoi mjaft mirë krahun e goditjes. Vendasit nuk demoralizohen dhe vijojnë aksionet sulmuese, teksa nuk do të vonin golin e dytë. Skuadra azerbajxhanase fitoi penalltinë e tretë në këtë ndeshje, pasi Maliqi, ndali në mënyrë të parregullt Emegharën. Këtë herë përballë portierit Frashëri u paraqit sërish Quintana, i cili si në herën e parë, arriti që të realizonte golin e dytë për skuadrën e tij. Kukësi i Cungut me një lojtar më pak në fushë, e kishte të pamundur për të tentuar përmbysjen e pamundur. Në minutën e fundit të kohës së rregullit, Qarabagu shënoi edhe golin e tretë me blerjen e re, Delarge, i cili u gjend i lirë në mbrojtjen e skuadrës verilindore. Kukësi nuk e mbyll këtu aventurën europiane, pasi do të vijojë të luajë në turin e tretë në Europa League./Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

