Kukësi-Skënderbeu, betejë titulli në këndvështrimin e një serbi që njeh dy kampet
Gara për titullin kampion pret të marrë një përgjigje mbi ekipin që do të triumfojë, pas një udhëtimi të gjatë, në fund të 36 javëve të para. Gara është në hapat e fundit, ndërsa të dielën e gjithë vëmendja drejtohet te sfida Kukësi-Skënderbeu. Kukësi fitoi në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhe barazoi me verilindorët në Korçë në ndeshjen e kthimit. Pas arritjes në finale të Kupës, skuadra e drejtuar nga Artim Shaqiri kërkon të përsërisë suksesin edhe në përballjen me rivalët direkte të Skënderbeut, në përballjen direkte për titullin kampion. Nga Kupa në kampionat, gjithçka luhet në katër ditë. Mbi këtë ndeshje, si gjithnjë në kompleksin “Dinamo”, skuadra e drejtuar nga Artim Shaqiri, përgatitet dhe që si fillim para kësaj sfide delikate kërkon të largojë euforinë nga futbollistët e tij. Të dielën do të ketë të njëjtin kundërshtar, por tekniku e di mirë që sfida është e ndryshme. Për të përgatitur këtë ndeshje, Shaqiri mund të mbështetet edhe te eksperienca e zëvendësit të tij Ivan Gvozdenoviç. Ish-lojtari serb dikur kampion me Skënderbeun shpreson që të përsërisë suksesin edhe me Kukësin. – “Kam qenë lojtar i kësaj skuadre, ndërsa tani jam trajner. Me të vërtetë ka një ndryshim të madh, ka më shumë përgjegjësi. Kemi kaluar shumë momente të vështira, por i kemi kaluar së bashku, veçse nuk ia vlen që tani të kthehemi prapa, por të shikojmë përpara. Shefi i stafit tonë teknik, Shaqiri, është një trajner mjaft i mirë dhe një njeri shumë i mirë. Shpresoj që të përfitoj shumë prej tij, dhe shpresoj edhe ta ndihmoj sa më shumë. Deri tani gjithçka na ka shkuar mirë dhe besoj se do të jemi të suksesshëm. Ne jemi të dytët në tabelë, pak më prapa Skënderbeut. Besoj se fundi do të jetë i lumtur për ne, personalisht mendoj se do të kemi sukses,” – thekson ai. Kukësi e ka të varur shpresat tek i njëjti lojtar që i shënoi Skënderbeut në dy ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, Pero Pejiç. Përpara disa sezonesh ndihmonte skuadrën korçare me golat e tij, ndërsa tani në të njëjtën mënyrë kërkon t’i rrëmbejë titullin kampion Skënderbeut. Por përveçse duhet të shënojë, Kukësi duhet edhe të mbrohet. Një prej lojtarëve që do t’i besohet kjo detyrë është Erjon Dushku. Mbrojtësi iu afrua titullit kampion kur luante për Tiranën, por mendon se ky është sezoni i duhur për të ngritur lart trofeun. Pas vetëm tre sezonesh kërkon trofeun e parë të rëndësishëm të futbollit shqiptar..
Partizani ngjitet në vend të dytë, për titull kërkon “X” në Kukës
Partizani fiton minimalisht 0-1, në “Niko Dovana”. Të kuqtë i falen golit së minutës 54’ të mesfushorit Idriz Batha dhe rikthehen te trepikëshi pas dy javëve . Me këtë fitore Partizani është ngjitur në kuotën e 63 pikëve, në vend të dytë, por në pritje të rezultateve të ndeshjeve të tjera, që do të luhen ditën e djelë. Në 45 minutat e para vendasit tentojnë të kalojnë bllokun Hoxha, por pa rezultat, pasi forma e mirë e gardianit kryeqytetas arrin të mbyllë mirë çdo aksion. Vetëm 9 minuta pas fillimit të pjesë së dytë, djemtë e trajnerit Shpëtim Duro gjejnë golin me anë të Bathës. Ndërkohë loja ka prodhuar sulme dhe kundërsulme nga të dy palët, por asnjë gol. Përfundimisht ndeshja është mbyllur 0-1, në favor të miqve. Partizani në garë për titull nuk do të ishte i interesuar të fitonte Skënderbeu në Kukës, pasi do të shkëputej 6 pikë dhe ndoshta do të mbyllej gara. Të kuqtë pëlqejnë një barazim në këtë ndeshje, ndërsa po ashtu edhe për të lënë pas Tiranës, duhet që kjo e fundit të gabojë me Laçin. Humbja e Teutës i dha mundësi Apolonisë së Fierit të shpresojë ende tek mbijetesa. Apolonia mori një fitore shprese për mbijetesë, pasi mundi Vllazninë në “Loni Papuçiu” 2-0. Apolonia afrohet 4 pikë me Teutën dhe do të luajë në një nga ndeshjet e mbetura direkt me të në Durrës, ku besohet se do të vendoset edhe skuadra e dytë që do të shoqërojë Elbasanin në një kategori më poshtë. Elbasani humbi 2-0 ndaj Flamurtarit dhe gjithashtu humbi edhe çdo shpresë mbijetese. Bregu në fillimin e ndeshjes dhe Shehaj në fund të këtij takimi i dhanë tre pikë ekipit vlonjate, që kishte dalë nga objektivat prej kohësh dhe e kishte harruar fitoren, derisa sa e gjeti dje në përballjen me ekipin e vendit të fundit.
Tifozët e Partizanit pas fitores në Durrës, përleshje me policinë
Partizani fitoi 1-0 në Durrës ndaj Teutës, por pas ndeshjes, festa e tifozëve është kthyer në një përleshje me policinë. Klubi i Partizanit dënoi dhunën e ushtruar sot nga Forcat e Rendit në përfundim të takimit Teuta – Partizani zhvilluar në stadiumin "Niko Dovana" . Festimet pas fitores 0 – 1 të tifozerisë së kuqe me lojtarët kanë degjeneruar në reagimin e ashpër të forcave të rendit të cilët kanë keqtrajtuar pa kuptim tifozët e kuq,” – thuhet në reagimin e Partizanit.
Kategoria Superiore
Java e 32-të/Sot
Teuta-Partizani 0-1
Batha 54′
Apolonia-Vllaznia 2-0
Shënues: Dimo 50’, Ribaj 87’
Flamurtari-Elbasani 2-0
Bregu 5’, Shehaj 90’
Nesër
Kukësi-Skënderbeu (16:00)
Tirana-Laçi (19:00)
Klasifikimi
Skënderbeu 66
Partizani 63
Kukësi 63
Tirana 63
Laçi 57
Flamurtari 38
Vllaznia 34
Teuta 26
Apolonia 22
Elbasani 13
KOHA JONË SONDAZH

