Kukësi sot përballë Mladost, në Europa League, Troisi: Besojmë te kualifikimi

Kukësi nuk është dorëzuar ende në Europë dhe në ndeshjen e kthimit pavarësisht humbjes së pësuar në takimin e parë me ekipin malazez premton se sot do të bëjë të pamundurën për t’u kualifikuar në turin e tretë të Europa League. Trajneri brazilian i nën-kampionëve të Shqipërisë Marcello Troisi ka besim te aftësitë e lojtarëve të tij dhe thotë se ata do të japin maksimumin për të fituar takimin e kthimit, që do të luhet këtë të enjte me malazezët e Mladost në Podgoricë. Kukësi niset në disavantazh pas humbjes 1 – 0 në Tiranë, por megjithatë Marcello Troisi , trajner i Kukësit beson: “Po punojmë shumë për ndeshjen e kthimit. Nuk do të jetë e lehtë pasi kemi një kundërshtar të fortë përballë, me një mbrojtje hermetike. Këto ditë kemi punuar më tepër me goditjet drejt portës. Ne do të bëjmë gjithçka për të fituar,” – thekson ai. Në Podgoricë priten edhe tifozë shqiptarë të Kukësit që shpresojnë gjithashtu se skuadra e tyre do të përsërisë suksesin e sezonit 2013 – 2014, ku mbërriti deri në fazën “Play off” të Europa League. Hyrja në stadium për tifozët mësohet se do të jetë falas. Ekipi kuksian është i vetmi që ka mbetur në turneun e dytë për nga rëndësia për klubet evropiane. Dy ekipet e tjera shqiptare, Partizani dhe Laçi janë eliminuar që në turin e parë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?