Kumbulla: Ëndërroj të bëhem kapiten i Shqipërisë, mes Ronaldos dhe Messit zgjedh …
Marash Kumbulla ka dhënë së fundmi një intervistë shumë interesante në faqen zyrtare të Hellas Veronas në Instagram, ku iu përgjigj pyetjeve të fansave. Ai shprehu se Shqipëria ishte zgjedhje zemre dhe ëndrrën që një ditë të bëhet kapiten i saj.
“E kam kaluar karantinën me familjen time. Shpresoj të shoh së shpejti miqtë e mi. Para këtij sezoni kam punuar shumë dhe stërvitem sa më shumë që të jetë e mundur. Të gjithë besuan tek unë, trajneri, drejtori dhe presidenti, dhe më dhanë mundësinë të debutoja në Serinë A.
Kemi punuar shumë gjatë fazës përgatitore dhe rezultatet u panë. Jam rritur shumë si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Rezultatet janë për shkak të grupit. Ka shumë të rinj, por edhe futbollistë më me përvojë, që na ndihmojnë shumë. Të ardhurit janë integruar shumë mirë me grupin vitin e kaluar dhe kjo na ka lejuar të marrim rezultate të mira.
Dita më e bukur në futboll? Duket e çuditshme, por është fitorja kundër Juventusit. Goli i parë nuk harrohet kurrë, por unë e vendos në vendin e dytë.
Tre mbrojtësit më të fortë në botë? Van Dijk, Chiellini, edhe pse ndoshta jo tani, por në nivel absolut edhe Sergio Ramos.
Kapiten në ekipin kombëtar? Shpresoj t’ia arrij, do të ishte një ëndërr tjetër e bërë realitet.
Përse zgjodhe Shqipërinë? Ndihem gati 50 me 50. Familja është shqiptare, unë kam lindur në Peschiera del Garda. Ishte një zgjedhje e bërë me zemër, ndihem pak më shumë shqiptar brenda meje”.
Sulmuesi më i fortë me të cilin jeni përballur? Dybala është më i vështiri për t’u markuar. Ka një teknikë të pabesueshme dhe ëstë shumë i shpejtë. Nëse e gjen në ditën më të mirë është i pamarkueshëm.
Messi apo Ronaldo? Zgjedh gjithnjë Messin”, deklaroi Kumbulla. /R.Lika-Koha Jone/