Kumbulla rrëfehet për “Sky Sport”: Ndihem edhe italian, por luaj për Shqipërinë!
Konsiderohet si një nga zbulimet më të mëdha të këtij sezoni në Seria A dhe është një titullar i padiskutueshëm te Verona. Po flasim për Marash Kumbullën, i cili ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane shpesh herë këtë sezon. Së fundmi mbrojtësi i kombëtares sonë, i cili mungon në grumbullimin e radhës për shkak dëmtimi, ka dhënë një intervistë për “Sky Sport”.
“Tani jam më mirë, kam pasur një problem të vogël, por asgjë serioze. Po bëj terapitë dhe shpresoj që të kthehem në fushë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Unë erdha te Verona kur isha vetëm 8 vjeç, kam kaluar në ekipet zinxhir, dhe tani jam në ekipin e parë. Jam shumë i lumtur që kam dhënë kontributin tim. Mendoj se çdo kush e ka ëndërr të luajë në Serie A, dhe unë ia arrita. Kam bërë tifo për këtë klub që kur ka qenë i vogël, kështu që kjo që unë po kaloj tani ka qenë edhe ëndrra ime.
Prindërit e mi janë shqiptarë dhe kanë jetuar këtu në Itali për më shumë se njëzet vjet, ndjehem si italian po ashtu edhe shqiptar, por padyshim edhe më shumë shqiptar sepse luaj edhe për kombëtaren.
Reja më tha që më kishte parë shpesh që të luaja madje edhe në fazën parasezonale dhe se i pëlqente mënyra se si luaja, kështu që më thirri sepse donte të më shikonte nga afër. E falënderoj për këtë debutim dhe shpresoj që të mund të marrë kënaqësi edhe nga kombëtarja.
Mbrojtja më e mirë e kampionatit? Është meritë e trajnerit, edhe nëse interpretuesit ndryshojnë, rezultati nuk ndryshon. E kam mbështetur Veronën që fëmijë, ndaj dhe ajo që po kaloj tani është një ëndërr.
Koha e lirë? Më pëlqen të shikoj filma dhe seriale televizive, që të dalë me të dashurën time, ose të qëndroj me familjen. Mbrojtësi më i fortë i të gjitha kohrave? Maldini”, deklaroi Kumbulla. /Koha Jone/