Kuqezinjtë në Ligën e Kombeve, Ajeti dhe Seferi: Fitore pavarësisht mungesave

Paçka se ka mungesa të rëndësishme nga mbrojtja në sulm, Shqipëria do të provojë të marrë maksimumin nga dy finalet e Ligës së Kombeve. Për të fituar Grupin 2 të Ligës B nevojiten 6 pikë dhe emergjenca nuk i ndryshon objektivat.

Arlind Ajeti është kthyer në Kombëtare pas afro 15 muajve dhe ka detyrën e vështirë të zëvendësojë dy lojtarë si Gjimshiti e Kumbulla. “Janë ndeshje vendimtare, ende nuk i kemi nisur përgatitjet, por kemi mjaft kohë për të qenë të përgatitur. Unë jam gjithmonë gati për ftesën e Kombëtares, por atë e vendos trajneri”, tha Ajeti.

Në mesfushë, në dyshim janë Bare e Çekiçi, teksa nuk është as Manaj në sulm. Te arritja e rezultateve, por me mungesat beson edhe Taulant Seferi i transferuar si kampion i Shqipërisë te Vorskla në Ukrainë.

“Ky grup që jemi duhet të bëjmë maksimumin dhe të jemi të gjithë bashkë, pasi kemi mungesa shumë të rëndësishme dhe na mërzisin që nuk janë me ne, por u uroj të kthehen sa më shpejt, por ne që jemi duhet të japim maksimumin pasi janë ndeshjet finale”, u shpreh Seferi.

Shqipëria luan më 24 shtator në transfertë me Izraelin, ndërsa tre ditë më pas pret Islandën në Arenën Kombëtare.

SHKARKO APP