Kur Franca vinte për herë të parë në Tiranë….

Nga Adriatik R. Dosti

Nga Arkivi im personal…

Ishte mes nentori i vitit 1990 dhe Franca e historisë së famshme të futbollit europian e boteror do të zbarkonte për herë të parë në kryeqytetin e Shqipërisë për tu ndeshur po për here të parë me Kuq e Zinjtë me 17 Nentor te 1990 në një ndeshje të vlefshme për eliminatoret e kampionatit europian.

Martini, Boli, Blanc, Deshamps, Zhinola, Angloma, Ferreri.. .. etj….do të ishin përballë një Shqipërie gati eksperimentale të trajnerit tashmë te ndjerë Agron Sulaj.

Dhe ishte një ndeshje pa shumë histori ku mjaftoi goli i Boli në të 25-të minutë për ti dhënë Francës atë fitore që i duhej e mbi të gjitha 3 piket e vlefshme që i nevojiteshin për kualifikim. Vëmendja më e madhe e opinionit futbolldashës shqiptar u përqendrua me shumë tek emri i madh i atij që ishte asokohe në krye të pankines franceze Mishel Platini,se sa tek ndeshja, ku Arapi, Leskaj, Ferko, Ibro, Stafa, Kacaci, Majaci .. etj..ishin krejt të pafuqishëm përballë një France superfuqi të futbollit boteror. Kujtoj se Platini të cilin pata mundesi ta intervistoja vetem në sajë të dashamirësisë së vetë Presidentit te Federatës Franceze të futtbollit Zhan Foyrnet Fayard.

Ishte i ftohtë akull e nuk kishte asnjë dëshirë të komunikonte me ne shqiptarët edhe pse dashamirësia e respekti ynë ndaj tij shfaqeshin hapur e me shumë sinqeritet.

Mendjemadh, kapadai e mjaft edhe ironizues, tipik francez, mezi hapte gojen për t’ju përgjigjur pyetjeve tona, madje këtë e bënte fare shkurt e me një lloj bezdie që i pasqurohej qartë edhe në fytyrë, por vecmas edhe në mënyrën e të folurit e të komunikimit me të gjithë.

E kunderta e tij, komplet, ishte kreu i FFF z.Fayard, një njeri shumë i thjeshtë , dashamirës dhe mjaft i sinqertë në çdo lloj komunikimi të tij me këdo, e natyrisht veçmas me ne gazetarët.

Ndeshja, personalisht mua, nuk më la asnje lloj mbrese deri në përfundim të saj kur gjyqtari zviceran Galler fërshelleu për përfundimin e saj 1-0 për francezët pas atij goli shënuar me një goditje me kokë brenda zones sonë nga qendermbrojtesi Bassile Boli në të 25 minutë.

Kujtoj që delegacioni francez, kombetarja dhe i gjithë stafi i saj drejtues u sistemuan aso kohe në një nga hotelet tona të turizmit në Durres, ku edhe aty interesimi i tifozëve shqiptarë e veçmas marrja e nje autografi apo bërja e nje fotografije me Platininë ishte një supër privilegj. Mos harroni ishim akoma në vitin 1990, e jo çdokush mund ti afrohej çfarëdo të huaji qe vinte në Shqipëri, kësisoj ne gazetaret e paktë sportive ishim disi të privilegjuar.

Më pas me Francen ndër vite Shqiperia do të luante edhe 6 here të tjera.

Në ndeshjen e kthimit me 1991 Shqipëria humbi 5-0.

Në dy ndeshjet e 2011 ku mundej 2-1 në Tiranë dhe 3-0 në transfertë, ku Bogdani bëhej shqiptari i parë që shënonte kunder Gjelave të Francës.

Me 2014 vjen miqesorja ”tronditëse” ku Shqiperia barazon në token franceze 1-1 me atë gol vertet të bukur te Mavrajt. “Qershia mbi tortë” vjen kur Shqiperia, po në miqësore por këtë radhë në Elbasan, mund Francen me 13 qershor te 2015 me 1-0 me atë gol spektakolar nga goditja e lirë të të voglit tonë Ergys Kace që la të shtangur portierin Hugo Lloris.

Ndeshja e parafundit Francë – Shqiperi i takon takimeve në grup për Euro 2016 ku vendasit e organizatoret e ketij turneu na mundin me 15 qershor, 2-0 edhe pse ne zhvilluam një ndeshje vërtet dinjitoze përballe tyre.

Ndërsa mbrëmë humbëm në Paris 4 me 1.

Totali, në 8 ndeshje te luajtura mes nesh, Franca ka 6 fitore, 1 fitore është për ne e një ndeshje është mbyllur në barazim, ndërkohë që golaverazhi flet mjaft pozitivisht për Gjelat,18-4.

Shënim: Foto që ilustron këtë shkrim ka këtë diciturë: Unë, trajneri Platini e Presidenti i FFF z. Fayard, e bërë me 16 nentor 1990 një dite përpara ndeshjes Shqiperi-Francë në stadiumin ”Q.Stafa” në Tiranë.

Image may contain: 3 people, people smiling, people standing, shoes and outdoor

SHKARKO APP