Laçi kapitullon përballë Skënderbeut, Bylis dhe Tërbuni mbeten pa trajnerë
Skënderbeu i rimerr Partizanit kryesimin pas 0-3 në transfertën me Laçin, që mbylli javën e 6-të të Kategorisë Superiore. Dy-golësh i Hamdi Salihit dhe Skënderbeu udhëheq kampionatin me pikë të plota si kurrë më parë në historinë e skuadrës korçare.
1-0
Takim i kompromentuar që në minutën e 18-të për Laçin, me Arjan Shetën, që u detyrua të përdorte mënyrat e ndaluara në zonë ndaj Olyainkës që i kishte shpëtuar markimit. Penallti për Skënderbeun dhe i kuq për mbrojtësin e Laçit për ndërhyrjen ndaj lojtarit të fundit që shkon drejt portës.
Skënderbeu në avantazh dhe superioritet numerik. Skuadra e Mirel Josës vijon të luajë përpara, kurse Bernard Berisha është thjesht i jashtëzakonshëm, duhet ta shikosh për t’u bindur se çfarë është i aftë të bëjë në sprintin e tij në të djathtë edhe pas një ndeshje impenjative si ajo me Lokomotivën, në mesjavë. Laçi tenton të risjellë ekuilibrin, por Shehi nuk e lë veten të surprizohet nga James, në 40’, menjëherë më pas kurbinasit kërkojnë një 11- metësh, duke pretenduar për prekje të topit me dorë në zonë, por Kridens Meta bën shenjë që loja të vazhdojë. Rasti i artë për Skënderbeun në minutën e fundit të pjesës së parë, Olyainka prezantohet i vetëm përballë Vujadinovic por sulmuesi nigerian gabon në mënyrë të bujshme duke goditur keq. Megjithatë Skënderbeu e gjen golin e dyfishimit sapo fillon fraksioni i dytë. Lilaj që hyn në zonë nga e djathta dhe ndëshkon portierin e Laçit.
2-0 .
Një gabim i Arapit detyron Orges Shehin të ndërhyjë në mënyrë të parregullt ndaj Metos. Penallti për skuadrën e Cungut dhe karton i kuq për Shehin, barazohen forcat në fushë por nga pika e bardhë James shpërdoron në mënyrë të pabesueshme përballë Llapanjit që zëvendëson Prognin duke shpërdoruar një rast të artë. Ndeshja vijon intensive dhe me raste nga të dyja kampet në të 69-ën Hamdi Salihi godet fluturimthi pa u kordinuar si duhet në një krosim të gjatë, por shkodrani gjithsesi e gjen golin e dytë personal në të 84-tën, kur Berisha bën një tjetër nga inkursionet e tij në të majtë Vujadinoviç arrin të kthejë tentativën e parë të Salihit që këmbëngul sërish për të gjetur golin e
3-0.
Në minutat e fundit ndihet lodhja në këmbët e Laçit dhe Skënderbeu kërkon të thellojë por rezultati nuk ndryshon dhe kampionët marrin me vete një tjetër fitore të çmuar, të 6 radhazi në kampionat.
Partizani kishte marrë kryesimin pas fitores në derbi por e dorëzoi atë me fitoren e sotme të Skënderbeut. Sakaq, të kuqtë vijojnë të forcojnë organikën e tyre. Dritan Dervishi emërohet sot drejtor sportiv i Partizanit.
Por një tjetër skuadër është në krizë pas ndeshjeve të javës së 6-të në Kategorinë Superiore. Nga stoli i Tërbunit të Pukës pas humbjes tenistike me Flamurtarin, largohet trajneri Nikaj.
Pas disfatës së thellë të pësuar në shifrat 7-0 nga Flamurtari, tekniku 37 vjeçar, Samuel Nukaj, ka zhvilluar paraditen e së hënës një takim me drejtuesit e klubit ku u ka komunikuar zyrtarisht vendimin për të dhënë dorëheqjen. Nikaj bëri të ditur se është ndarë pa divergjenca dhe në mirëkuptim të plotë si me drejtuesit ashtu dhe me futbollistët, ndërkohë që ka theksuar se vendimi për tu larguar është pjekur përfundimisht, pasi nuk ka ndier besimin e tifozëve që kishin filluar të braktisnin Tërbunin në javët e fundit të kampionatit. Në drejtimin e tij skuadra Pukjane ka grumbulluar 3 pikë në 6 javët e para në debutimin e saj absolut në Kategorinë Superiore, të arritura falë fitores në transfertën ndaj Bylisit dhe renditet në vendin e 8 në klasifikim, duke lënë pas pikërisht ballshiotët dhe Vllazninë me nga një pikë. Samuel Nikaj bëhet në këtë mënyrë i treti trajner që largohet nga drejtimi pas vetëm 6 javësh në këtë sezon të Superiores pasi në fundjavë deklaroi largimin nga Bylisi edhe tekniku Agim Canaj ndërsa më parë i dha lamtumirën Vllaznisë, edhe trajneri Luan Zmijani.
Kategoria Superiore
Java e 6-të
05/10/2015
Laçi – Skënderbeu 0-3
04/10/2015
Teuta-Bylis 3-0
Flamurtari-Tërbuni 7-0
03/10/2015
Partizani – Tirana 1-0
Vllaznia – Kukësi 1-1
Klasifikimi
1 Skënderbeu 6 +11 18
2 Partizani 6 +6 16
3 Teuta 6 +3 12
4 Kukësi 6 +3 10
5 Laçi 6 +0 9
6 Tirana 6 +1 8
7 Flamurtari 6 +6 7
8 Tërbuni 6 -11 3
9 Vllaznia 6 -7 1
10 Bylis 6 -12 1
KOHA JONË SONDAZH

