Laçi-Kukësi, finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë

Laçi-Kukësi do të jetë finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë së këtij edicioni që do të luhet në fund të muajit maj. Një finale mes dy skuadrave që synojnë ta fitojnë këtë trofe, për të mbyllur një sezon pozitiv. Për Kukësin, që mbetet në garë për titull, do të jetë trofeu i parë në histori. Laçi e fitoi kupën për herë të parë dy vite më parë, por e sheh triumfin si një shans të artë që t;i hapet porta për një vend në Kupat e Europës. Largohen pas ndeshjeve gjysmëfinale Skënderbeu e Tirana, çka do të thotë se të dyja këto skuadra do të fokusohen maksimalisht tek  kampionati për të fituar titullin kampion. Kukësi tashmë është skuadra e vetme në garë, për të dy trofetë.  

Skënderbeu-Kukësi        1-1

Skënderbeu e humbi ndeshjen e parë 1-0 me Kukësin, dhe priste verilindorët me shpresë për të përmbysur shifrat si dhe për të gjetur medoemos një gol. Pas një starti pozitiv juglindorët e drejtuar nga Mirle Josa gjejnë rrjetën dhe shtojnë shpresat e kualifikimit. Në mesin e pjesës së parë Gerhard Progni shënoi në favor të Skënderbeut një gol të bukur ndaj Kukësit, duke rihapur ndeshjen. Por nuk ishte e thënë që vendasit të ruanin avantazhin. Në pjesën e dytë ish-sulmuesi i Skënderbeut gjatë sezonit të kaluar, Pero Pejiç, golashënuesi më i mirë i këtij sezoni, si dhe autor i golit të ndeshjes së parë gjysmëfinale ndaj kampionëve në fuqi, shfrytëzoi rastin më të mirë në fushë dhe barazoi shifrat në pjesën e dytë, në 1-1. Pas barazimit, Kukësi u mbrojt më mirë për të mos pësuar golin e dytë që do të rihapte ndeshjen. Vendasve i duheshin të shënonin tre gola për të gjetur kualifikimin në finalen e Kupës së Shqipërisë. Përpjekjet e Skënderbeut deri në fund të ndeshjes rezultuan pa sukses dhe Kukësi arrin të prekë finalen e madhe. Verilindorët ndodhen në vend të dytë në kampionat, tre pikë pas Skënderbeut dhe do të luajnë sërish në fundjavë ndaj tyre.  Kësisoj pas betejës së kupës që nxori fitues të besuarit e trajnerit Artim Shaqiri, mes rivalëve në tre sezonet e fundit do të luhet një ndeshje tjetër e madhe për fatet e trofeut më të rëndësishëm në vend.

Swiss Digital Desktop Reklama

Laçi-Tirana           1-0

Swiss Digital Mobile Reklama

Laçi shkon në finale të Kupës së Shqipërisë. Tirana eliminohet nga turneu duke humbur mundësinë për të mos e mbyllur sezonin pa asnjë trofe. Skuadra e Gugash Maganit u mund 1-0 në transfertën kurbinase ku bardhezinjtë u mjaftuan me një gol të James për të gjetur rrugën e suksesit në një ndeshje ku tifozët vendas kishin mbushur shkallët e stadiumit. Minutat e para kaluan të qeta deri në ’17, kur një vendim i arbitrit Bardhyl Pashaji që do të krijojë polemika, la me 10 lojtarë Tiranën. Në një përplasje fizike mes Olsi Teqjas dhe Selemani Ndikumana, ky i fundit u ndëshkua me të kuq, ndërsa mbrojtësi laçian me karton të verdhë. Pas këtij episodi, Laçi hodhi sytë nga sulmi dhe në të ‘21 James bëri gjithçka mirë por finalizimi i tij nga kufijtë e zonës së rreptësisë gjeti grushtet e portierit Bakaj. Tirana krijoi presion për disa minuta dhe  Curri ishte shumë pranë golit por krosimi i Bulkut nuk u shfrytëzua në mënyrën e duhur nga mbrojtësi i cili gjeti në pozicion gardianin Vujadinoviç. Në sekondat të pjesës së parë, Muzaka la fushën e lojës i dëmtuar pas një përplasje me Teqjan, duke ia lënë vendin Kalarit. Me fillimin e fraksionit të dytë, James kërcënoi sërish në minutën ‘51, por e djathta e tij qethi tranversën e Bakaj. James shfrytëzoi një top të ardhur nga goditja e këndit, duke korrigjuar shënjestër, disa minuta më pas.  Minutat e mbetura Tirana u tregua e pafuqishme për të çarë mbrojtjen kurbinase që u rreshtua mirë në prapavijë në mbrojtje të rezultatit. Edhe aktivizimi i Bushiç në minutat e mbetura nuk ndryshoi asgjë në favor të Tiranës. Laçi arriti një sukses të rëndësishëm duke prerë biletën e finales së dytë gjatë tre sezoneve të fundit.

 

Trajneri i Tiranës

Magani: Gjyqtari “kamikaz” solli eliminimin nga kupa 

Trajneri Gugash Magani akuzoi gjyqtarët  e ndeshjes së kthimit gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, me Laçin. Trajneri i Tiranës reagoi pas ndeshjes për dy episode që sipas tij ndikuan në rezultatin dhe eliminimin e bardhebluve.  – “Rezultatin e ndeshjes e vendosën të tre gjyqtarët.  Kartoni i kuq ishte për të dy lojtarët. Kemi luajtur 75 minuta me një lojtar më pak dhe e dominuam kundërshtarin. Në momentin e golit nuk ishte goditje këndi. Arbitri ishte “kamikaz” dhe për këtë jam i bindur. Ne do vazhdojmë punën tonë deri në fund, sepse jemi ende në garë për titullin,” – theksoi Magani, i cili i pyetur sesa ndikim do të ketë ana psikologjike e skuadrës së tij pas kësaj disfate, trajneri peqinas shtoi. – “Gjendja psikologjike është shumë e mirë por ajo që më demotivon është pandershmëria e gjykimit në ndeshjen e Laçit. Gjyqtari nuk punoi me një standard por me dy standarde”. Tirana ndodhet tre pikë larg kryesuesve të Skënderbeut dhe e sheh tashmë titullin kampion si mundësinë e vetme për të mos dalë pa trofe. 

Trajneri i Laçit

Armando Cungu: Duam një vend në Europë, me apo pa kupën  

Pas kualifikimit të vështirë me Tiranën, trajneri i Kukësit Laçit Armando Cungu u shfaq i emocionuar ku analizoi ndeshjen dhe nuk ngurroi të kritikonte skuadrën e tij, pavarësisht arritjes në finalen e madhe. – “Ishte shumë e vështirë. Duhet të jesh i kujdesshëm dhe të mos nxitohesh për të shënuar. Pas daljes së Ndikumanës lojtarët menduan se e fituam ndeshjen dhe lëshuan terren. Ndikoi mungesa e Cetkoviç, prandaj nuk dhamë maksimumin në fushën e lojës”. Trajneri shkodran i Laçit u përqendrua më pas te objektivi që ka skuadra për një biletë në Europë League, duke premtuar se Laçi do të luftojë në të dyja frontet.  – “Ne do të shikojmë përpara në kampionat. Do ta provojmë objektivin europian në te dyja frontet. Jemi afër por dhe shumë larg”. Laçi e fitoi për herë të parë kupën dy vjet më parë dhe arritja në finale e çon pranë suksesit të radhës, më të madh në histori. Por ndodhet vetëm dy pikë larg vendit të katërt, Partizanit, në kampionat. Laçit i duhet të fitojë kupën, ose të zërë një nga tre vendet e para në kampionat. 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?