Laçi-Partizani, trajneri Duro: Do të luajmë si ndaj një rivali për titull
Partizani është gati për ta nisur me fitore pjesën e dytë të këtij sezoni, ndonëse kalendari i rezervon një ndeshje të vështirë përballë Laçit në transfertë. Rikthehet sot Kategoria Superiore, me ndeshjet e pjesës së dytë të garës. Ndeshja Laçi – Partizani do të zhvillohet të djelën, ora 14:00, ku për të kuqtë kryeqytetas kërkohet medoemos fitorja dhe trajneri Shpëtim Duro shprehet fakt pozitiv është se e ka grupin të plotë. Pas fazës përgatitore, që ndonëse e zhvilloi në Tiranë, trajneri i Partizanit mendon se skuadra është e freskët dhe gati ta nisë garën me pretendimet për titull. Merkato ka afruar emra të paktë gjatë dimrit, por lojtarët konsiderohen goditje të sakta prej tij. – “Kemi zhvilluar një fazë përgatitore mjaft pozitive dhe është shumë e rëndësishme që nuk kemi pasur asnjë dëmtim. Jemi gati për fazën e tretë ku do të gjejmë që në ndeshjen e parë një kundërshtar me vlera sikurse është edhe Laçi. Transfertën me këtë skuadër do ta konsiderojë një përballje rivalësh,” – thekson tekniku i të kuqve. Trajneri i Partizanit kërkon impenjim maksimal nga futbollistët e tij për të marrë maksimumin e pikëve në Laç, ndryshe ai druhet se mos ekipi i tij do të largohet nga rivalët, për të cilët thotë se kanë një kalendar më të lehtë dhe po ashtu edhe mundësinë që ta fitojnë ndeshjet. – “Nuk pres që rivalët tanë të lënë pikë, sepse realisht nuk kanë kundërshtarë. Prandaj duhet të japim gjithçka për të marrë maksimumin e pikëve ndaj Laçit.” Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro sqaroi edhe tratativat e blerjes së sulmuesit të kombëtares së Lituanisë, Darvydas Sernas, që është goditja e fundit në merkato. – “Të them të vërtetën Sernas është një futbollist i ofruar nga kompania menaxheriale e Partizanit, pra nuk është se e kam kërkuar unë, por mendoj se është me vlera sepse ka qenë në aktivitet,” – shprehet trajneri i Partizanit. Pjesa e dytë e Kategorisë Superiore nis sot me ndeshjes Tirana-Apolonia, që do të luhet në “Niko Dovana” të Durrësit. Po sot Kukësi që kryeson pa spjesës së parë të këtij sezoni, do të luajë në Shkodër, ndaj Vllaznisë vendase, ndërsa Flamurtari pret Teutën.
Kategoria Superiore/ Java e 19-të
Të shtunën
Flamurtari – Teuta 17:00
Tirana- Apolonia 14:00
Vllaznia- Kukësi 17:00
Të djelën
Elbasani-Skënderbeu 17:00
Laçi-Partizani 14:00
Klasifikimi
Kukësi 38
Skënderbeu 36
Partizani 36
Tirana 35
Laçi 27
Vllaznia 23
Flamurtari 22
Teuta 16
Elbasani 9
Apolonia 9
KOHA JONË SONDAZH

