Laçi përmbysje spektakolare ndaj Skënderbeut, Kukësi mund Lushnjën (VIDEO)
Spektakël dhe emocione të shumta në ndeshjet e para të javës së 32-të në Kategorinë Superiore. Laçi ka marrë një fitore spektakolare ndaj Skënderbeut, duke i shtyrë sërish festën e titullit ekipit të drejtuar nga Ilir Daja. Pjesa e parë foli për korçarët që dominuan në lojë dhe në raste. Pasi humbi disa mundësi të mira shënimi, Soue më në fund gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 31-të. Ai mori një pasim fantastik nga Lilaj, dhe më pas e ka të thjeshtë për të mposhtur portierin Selmani. Pas 8 minutash, bomberi nga Gambia shënon dhe golin e dytë personal. Këtë herë ai është me fat, pasi Dita nuk arrin që të godasë në zonë, dhe më pas topi shtyhet prej sulmuesit në rrjetë.
Në limitet e fundit të pjesës së parë, Bruno Lulaj ka arritur të shënojë golin e parë për Laçin duke e rihapur ndeshjen falë një goditje të saktë me kokë. Kurbinasit marrin zemër dhe në fillimin e pjesës së dytë, shënojnë golin e barazimit me Rexhinaldon. Sulmuesi i Laçit kërcen mjaft mirë me kokë brenda zonës, dhe mposhtë portierin Teqja. Surprizat nuk kanë fund këtu, pasi në minutën e 62-të, vjen dhe goli i përmbysjes. Rexhinaldo nuk e ka të vështirë të shtyjë topin drejt rrjetës i vetëm përballë Teqjas, duke realizuar golin e dytë personal.
Kukësi nuk gabon duke fituar 2-1 ndaj Lushnjës. Sidrit Guri zhbllokoi ndeshjen në minutën e 33-të, por gëzimi i verilindorëve zgjati vetëm 8 minuta, pasi Pepa barazoi nga pika e bardhë. Në minutën e 60-të, Balde, shënoi golin që pati vlerën e 3 pikëve, dhe që e afron 8 pikë larg nga Skënderbeu. Kamza-Luftëtari u mbyll pa gola /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

