Laçi “presion” Partizanit, humbja me Kukësin “i kërcënon: djersën e një sezoni
Laçi, nën drejtimin e trajnerit Armando Cungu koleksionoi suksesin e 6-të radhazi në kampionat brenda fushës së vet, pasi mposhti 1-0 Teutën falë një goli të mbrojtësit Arjan Sheta, duke u ngjitur në kuotën e 57-të pikëve në klasifikimin e Kategorisë Superiore, pas 31 javëve të para. Laçi ke këtë fitore e sheh më pranë Partizanin që pozicionohet i 4-ti, me vetëm 2 pikë më pak. Sfida në stadiumin e Laçit, nisi e qetë dhe pa raste të pastra shënimi. Në minutën e 13-të Xhejms pretendoi për një penallti por kryesori Durmishi lejoi vazhdimin e lojës. Për të parë një rast duhet pritur minuta e 27-të. Aldo Mitraj pas një inkursioni personal pati mundësinë për të kaluar kurbinasit në avantazh, por tentativa e sulmuesit të Laçit u ndal nga Rizvani. Vetëm pak sekonda më pas provoi edhe Sheta por goditja e qendërmbrojtësit ishte e parrezikshme për portën e Rizvanit. Në ‘45 ishin miqtë nga Durrësi që provuan të kapnin në befasi Laçin, por Mirel Çota nuk i dha forcën e duhur topit për të vënë seriozisht në provë Moçkën. Pjesa e parë përfundoi me rrjetat e paprekura ndërkohë që fraksioni i dytë nisi me Laçin më kërkues. Në minutën 60-të, vendasit arritën të zhbllokonin më në fund rezultatin me Arjan Shetën. Mbrojtësi i kurbinasve përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një goditje të menjëhershme theu rezistencën e Rizvanit duke ndëshkuar ish- skuadrën e tij. Teuta nuk dëshironte të dilte pa pikë nga kjo përballje dhe me kalimin e minutave u përpoq të reagonte, por deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar
Partizani-Kukësi
Laçi kërcënon pozitat e Partizanit, prandaj të kuqtë mund të katandisen keq e më keq, në rast se nuk fitojnë me Kukësin. Partizanit i duhet medoemos fitorja, pas humbjes së kaluar, 5-2 me Skënderbeun në Korçë. Pretendent për titullin kampion, Partizani deklaroi heshtje shtypi gjatë javës dhe pret që sot të fitojë me verilindorët, që zbritën një javë më parë në vend të dytë. Kukësi ka tre pikë më tepër në klasifikim dhe mund të pajtohet me një barazim. Megjithatë, edhe Kukësi barazoi një javë më parë në fushën e tij me Laçin, duke humbur kreun dhe prandaj kërkon fitoren, që të arrijë objektivin e titullit. Kur duhen edhe 6 javë nga fundi, humbja konsiderohet fatale për të dyja skuadrat. Edhe pozitat e dy trajnerëve, Shpëtim Duros e Artim Shaqirit, janë lëkundur ndjeshëm.
Tirana dhe Skënderbeu
Bardheblutë do të luajnë në Pogradec me Elbasanin, pasi Arena Elbasan është në rikonstruksion. Në Pogradec të besuarit e Maganit do ta kenë më të lehtë të kërkojnë fitoren që të përfitojnë edhe nga përplasje mes Kukësit e Partizanit. Në një rast të tillë, nëse Tirana fiton me Elbasanin pa pretendime, mund të ngjitet në vend të dytë, me shpresa se Kukësi nuk do të mund të triumfojë me Partizanin në kryeqytet. Tirana ndodhet dy pikë pas Kukësit, aktualisht në vend të tretë, ndërsa Skënderbeu mbyll kalendarin e ndeshjeve të javës së 31-të me përballjen që do të luhet në Korçë ndaj Apolonisë. Kryesuesit e kampionatit pritet të mos e diskutojnë fitoren këtë javë dhe as vendin e parë në klasifikim.
Kategoria Superiore
Java e 31-të/ Dje
Laçi-Teuta 1-0
18/04/2015
Elbasani-Tirana 14:00
Vllaznia-Flamurtari 14:00
Skënderbeu-Apolonia 17:00
Partizani-Kukësi 17:00
25/04/2015
Apolonia-Vllaznia 14:00
KOHA JONË SONDAZH

