Lajme pozitive për Christian Eriksen, danezi pritet të dalë së shpejti nga spitali

Ka ardhur një tjetër përditësim inkurajues mbi gjendjen shëndetësore të Christian Eriksen, pas kolapsit të frikshëm që pësoi gjatë ndeshjes miqësore mes Danimarka dhe Ukraina.

Mesfushori danez u rrëzua papritur në fushë pasi vendosi dorën në gjoks, duke shkaktuar panik te lojtarët, stafet teknike dhe tifozët e pranishëm. Ndeshja u ndërpre menjëherë, ndërsa personeli mjekësor ndërhyri me shpejtësi për t’i dhënë ndihmën e parë.

Mjeku i kombëtares daneze, Morten Boesen, ka bërë të ditur se gjendja e Eriksen është e qëndrueshme dhe se ai po rikuperohet pranë familjes së tij në spital.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Kam folur me Christian këtë mëngjes dhe ai është mirë. Ndodhet me familjen dhe është në gjendje të mirë shpirtërore. Presim që së shpejti të marrë lejen për t’u kthyer në shtëpi”, deklaroi Boesen.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas mjekut danez, futbollisti ishte i vetëdijshëm menjëherë pas incidentit dhe madje kërkoi të përshëndeste familjarët e tij para se të transportohej në spital. Ai shtoi se pajisja kardiake e implantuar, të cilën Eriksen e mban që pas arrestit kardiak të vitit 2021, funksionoi sipas pritshmërive.

“Për pak çaste ai humbi vetëdijen, por e rifitoi shumë shpejt. Ne komunikuam menjëherë me të dhe gjithçka ishte nën kontroll. Tani po kryhen ekzaminime të mëtejshme për të kuptuar shkakun e episodit”, u shpreh Boesen.

Ngjarja ka rikthyer kujtimet e momentit dramatik në Euro 2020, kur Eriksen pësoi arrest kardiak gjatë ndeshjes mes Danimarkës dhe Finlandës. Pikërisht pas atij episodi, ai iu nënshtrua vendosjes së një defibrilatori të brendshëm, i cili dyshohet se ka luajtur një rol vendimtar edhe këtë herë.

Megjithatë, mbetet ende e paqartë se çfarë ndikimi mund të ketë ky incident i dytë në të ardhmen sportive të mesfushorit danez. Mjekët po vijojnë vlerësimet dhe për momentin nuk ka një përgjigje të qartë nëse Eriksen do të jetë në gjendje të vazhdojë karrierën në nivelet më të larta të futbollit.

Pavarësisht pasigurisë për të ardhmen, lajmi më i rëndësishëm është se Christian Eriksen është jashtë rrezikut dhe po rikuperohet me sukses.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?