Lamtumirë Ismet Bellova! Homazhe për komentatorin e njohur sportiv

Futbolli dhe gazetaria sportive shqiptare i dhanë këtë të hënë lamtumirën e fundit një prej zërave më emblematikë të mikrofonit shqiptar, komentatorit të njohur sportiv Ismet Bellova. Një figurë e respektuar dhe e dashur për publikun, Bellova mbetet një emër i gdhendur në historinë e sportit shqiptar, falë kontributit të tij të gjatë dhe të palodhur në pasqyrimin e futbollit.

Homazhet në nderim të tij u mbajtën në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar, institucion ku Ismet Bellova shërbeu për dekada me profesionalizëm, përkushtim dhe pasion. Zëri i tij karakteristik shoqëroi breza të tërë sportdashësish, duke përcjellë emocionet e ndeshjeve të kampionatit shqiptar dhe ngjarjeve më të rëndësishme sportive në vend.

Në ceremoninë mortore morën pjesë personalitete të sportit dhe medias, mes tyre edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i shoqëruar nga zv/presidenti Lutfi Nuri dhe Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në fjalën e tij, Presidenti Duka vlerësoi lart figurën dhe trashëgiminë e Ismet Bellovës, duke theksuar rolin e tij unik në historinë e futbollit shqiptar. “Sot i japim lamtumirën e fundit profesor Ismet Bellovës, një gazetar dhe komentator të shquar. Zëri i tij ka sjellë futbollin shqiptar në çdo familje shqiptare për dekada me radhë. Kontributi i profesorit Ismet nuk ishte vetëm koment sportiv, por një shkollë e vërtetë për të gjithë ata që e pasuan”, u shpreh Duka.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai shtoi se Bellova do të mbetet një zë i pazëvendësueshëm dhe një figurë emblematike e mikrofonit shqiptar, duke shprehur ngushëllimet në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë komunitetit sportiv për familjen, miqtë dhe të afërmit e tij.

Ismet Bellova u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të çmuar profesionale dhe njerëzore. Zëri i tij do të vijojë të jetojë në kujtesën e publikut si simbol i pasionit, korrektësisë dhe dashurisë për futbollin shqiptar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?