“Largimi i Guardiolës, i bëhet nder Gjermanisë!”
Largimi i Pep Guardiolës nga stoli i Bajernit në fund të sezonit, në rast se spanjolli nuk rinovon në Mynih, ish-portieri Jens Lehman e vlerëson si një avantazh për Bundesligën, pasi ajo do të përfitonte në aspektin e rritjes së konkurrencës.
Gjatë një interviste për “Bild”, analisti i “RTL”-së u ndal të komentonte situatën e shumë klubeve dhe bavarezët zunë pjesën më të madhe të mikroskopit të tij. Për një gjë Lehman është i sigurt: “Skuadra aktuale e Bajernit është më e forta në historinë e klubit. Fitorja e tripletës, nën drejtimin e Jup Hajnkesit, ishte e shkëlqyer, por Pep Guardiola e ka dërguar këtë skuadër në një tjetër nivel”. Ai nuk shikon si sfidë mbrojtjen e titullit:
“Sprova e Bajernit do të jetë mbyllja e sezonit pa pësuar asnjë humbje”. Ndërkohë që për çështjen e rinovimit të Guardiolës tha këto fjalë: “Nuk e di çfarë do të ndodhë. Për Bajernin do ishte pozitive, sepse një pasardhës kaq i zoti do ishte shumë e vështirë për t’u gjetur. Por, për pjesën tjetër të kampionatit, do ishte pozitiv largimi i tij. Ndoshta Bundesliga do rikthehej të bëhej më emocionuese”
KOHA JONË SONDAZH

